Kryeministri Hristijan Mickoski i hodhi poshtë ashpër akuzat e opozitës se pushteti aktual ka arritur ndonjë marrëveshje me ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi, duke i cilësuar ato si inxhinieri politike pa asnjë bazë logjike dhe thelbësore.
“I harrojmë botët pro-Soros dhe opozitën aktuale LSDM, të cilët vendosin shenjë barazimi dhe thonë se pushteti është marrëveshur me Artan Grubin. Kjo është një tezë politike e ditëve të fundit. Le të shohim çfarë është thelbi, e çfarë është inxhinieri politike”, deklaroi Mickoski.
Ai rikujtoi se Grubi ka qenë një nga kundërshtarët e tij më të ashpër politikë, me sulme dhe akuza publike, përfshirë rastin me dronët mbi shtëpinë e motrës së tij, që ishte paraqitur si pronë e fshehur e tij.
“Dhe sipas një logjike të çuditshme, unë bëhem kryetar i Qeverisë dhe bëj marrëveshje me ata që duan të shohin fundin tim politik, e disa prej tyre edhe njerëzor. Mendoj se nuk ka asnjë logjikë”, tha kryeministri.
Sipas tij, tezat e opozitës kanë ndryshuar nga dita në ditë – nga pretendimi se ai personalisht ka ‘lëshuar’ dikë, deri te një marrëveshje e supozuar mes tij dhe Grubit pas vendimit gjyqësor.
“I arratisuri është i siguruar nga organet e rendit. Gjithçka më tej është vendim i një pushteti tjetër – pushtetit gjyqësor. Kjo nuk ka lidhje me Qeverinë”, theksoi Mickoski.
Ai shtoi se në opinion po krijohet histeri, ngjashëm si në raste të tjera kur janë përhapur skenarë për kolaps ekonomik apo krizë migratore.
“Procesi në vetvete do ta japë përgjigjen. Koha punon në dëm të tyre”, deklaroi kryeministri, duke shtuar se e kupton revoltën e qytetarëve, por se pushteti ekzekutiv nuk ka kompetencë të ndërhyjë në vendimet e gjyqësorit.
Në kontekstin e ndryshimeve në prokurori, Mickoski shprehu pritjen se me udhëheqjen e re do të garantohet pavarësia dhe mbrojtja e drejtësisë, duke vlerësuar se për persona të caktuar “agonia sapo fillon”.










