Trendy

Mickoski: U arrit marrëveshja, rreth 11 mijë të punësuar në administratë do të kenë rritje pagash deri në 40% deri në vitin 2028

Para 2 muaj

Pas një jave bisedimesh konstruktive, Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe sindikatat përfaqësuese kanë arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse që garanton rritjen e pagave për rreth 11,000 punonjës të administratës publike. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Hristijan Mickoski, i cili e cilësoi këtë si një “moment historik” për dinjitetin e punonjësit në vend.

Sipas planit të dakordësuar, pagat do të pësojnë një rritje progresive prej pothuajse 40% deri në vitin 2028, duke përfshirë në këtë paketë edhe punonjësit e gjykatave dhe prokurorive. Kryeministri theksoi se ky hap pason marrëveshjet e ngjashme të arritura tashmë në sektorët e arsimit dhe shëndetësisë, duke përmbyllur kështu ciklin e rregullimit të marrëdhënieve me të gjithë punonjësit e institucioneve shtetërore.

​Mickoski deklaroi se këto hapa guximshëm vijnë si rezultat i një menaxhimi të përgjegjshëm të arkës së shtetit, edhe në kohë sfidash ekonomike globale. Ai u shpreh se Qeveria është e gatshme të negociojë një Kontratë të re të Përgjithshme Kolektive me sindikatat LSM dhe KSS, e cila do të shërbejë si një mjet i vetëm dhe i sigurt për pagesat e rrogave, duke krijuar një situatë “win-win” për shtetin dhe punëtorët.

Megjithatë, ai nuk la pa përmendur se ndërsa besimi po ndërtohet me shumicën e strukturave sindikale, disa prej tyre ende e kanë të vështirë të shkëputen nga ndikimet politike partiake.

​Tashmë pritet që ky akord të operacionalizohet përmes kontratave individuale, duke i dhënë fund pasigurisë disavjeçare për rregullimin e pagave në sektorin publik.

Trending