Trendy

Mijëra sorra “nxinë” qiellin mbi Tel Aviv – njerëzit flasin për shenja apokaliptike, shkenca ka një shpjegim tjetër (Video)

Para 2 orë

Qielli mbi Tel Aviv të martën u mbulua nga një “det” sorrash, në një skenë që shumëkush e quajti si një “paralajmërim fatkeqësie”, përcjell tetova1

Mijëra sorra u filmuan duke fluturuar në rreth mbi ndërtesat e larta, përfshirë edhe kullat e njohura Azrieli, në pamje dramatike që u përhapën me shpejtësi në internet.

Shumë shikues e lidhën këtë pamje të frikshme me tensionet aktuale mes Izraelit dhe Iranit, duke pretenduar se ajo paralajmëron një katastrofë që mund të ndodhë së shpejti.

“Shumë e konsiderojnë këtë si një shenjë paralajmëruese, pasi shpesh pasohet nga fatkeqësi e madhe”, shkroi një përdorues në rrjetin “X”, ndërsa të tjerë e lidhën skenën me profeci biblike.

Ata iu referuan edhe vargut nga Zbulesa 19:17, ku përshkruhet një engjëll që u thërret zogjve në qiell të mblidhen për “darkën e madhe të Zotit”.

Tufa e madhe krijoi “re” të errëta dhe lëvizëse mbi horizontin e qytetit, duke lënë banorët dhe shikuesit të habitur nga përmasat e fenomenit.

Çfarë thotë shkenca?

Megjithatë, shkencëtarët që studiojnë zogjtë theksojnë se ky fenomen nuk është i mbinatyrshëm, por pjesë e migrimit sezonal përgjatë një prej korridoreve më të ngarkuara të shtegtimit në botë.

Sipas ekspertëve, rreth 500 milionë zogj kalojnë çdo vit përmes Izraelit gjatë migrimit pranveror, ndërsa sorrat gri shpesh grumbullohen në zonat urbane gjatë sezonit të folezimit.

Sorrat janë shumë të përhapura në Izrael, veçanërisht lloji i sorrës gri.

Lëvizje masive të sorrave në Izrael ndodhin shpesh në pranverë, sidomos në muajin mars, kur mijëra zogj largohen nga zonat urbane si Tel Avivi. Kjo zakonisht lidhet me ndryshime sezonale në sjellje, faktorë mjedisorë ose ndonjë shqetësim në habitatin e tyre.

Romakët nuk e merrnin kaq lehtë

Edhe pse shkencëtarët e konsiderojnë këtë si një fenomen të zakonshëm migrimi, shumë përdorues në rrjetet sociale këmbëngulin se pas tufës së madhe fshihet diçka më ogurzezë.

“Ky është një nga shenjat më të këqija në nivel civilizimi. Në Angli ende merret seriozisht, ndërsa romakët madje ndalonin luftëra për shkak të shenjave të tilla”, shkroi një përdorues në “X”.

Në Romën e lashtë, priftërinj të quajtur augurë vëzhgonin me kujdes qiellin, duke interpretuar fluturimin dhe zërat e zogjve si mesazhe nga perënditë, që ndikonin në vendime për luftëra, pushtet dhe ngjarje të mëdha publike.

Grumbullime të mëdha apo të pazakonta të zogjve shpesh shiheshin si paralajmërime të errëta për fatkeqësi që mund të vinin.

Të tjerë kujtuan edhe sorrat e famshme të Kullës së Londrës, të lidhura me një legjendë shekullore se mbretëria britanike do të bjerë nëse ato largohen nga kështjella.

Të paktën gjashtë sorra mbahen vazhdimisht në kullë dhe kujdesen nga një roje e posaçme, për të ruajtur traditën.

Këto besime të vjetra kanë bërë që edhe sot aktiviteti i pazakontë i zogjve të interpretohet si një paralajmërim simbolik, megjithëse shkenca thekson se fenomeni ka shpjegim natyror.

“Deti” i sorrave shfaqet në një kohë kur presidenti Donald Trump ka miratuar dislokimin e më shumë se 1.000 ushtarëve nga Divizioni i 82-të Ajror në Lindjen e Mesme.

Trump gjithashtu deklaroi se negociatat me Iranin janë në zhvillim, por Irani ka kundërshtuar pretendimet amerikane për përparim diplomatik, edhe pse një zyrtar i lartë ka konfirmuar se janë shkëmbyer mesazhe përmes ndërmjetësve.

Mbi 2.000 persona kanë humbur jetën në Lindjen e Mesme, ndërsa lufta ka hyrë në javën e katërt./tetova1.mk

 

Trending