Trendy

Milloshoski: Grubi e ka vlerësuar se s’do të ketë ndryshim pushteti, presioni diplomatik është i kushtueshëm për vendet që strehojnë persona në listën e zezë të SHBA

Para 2 orë

Antonio Milloshoski, deputet dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE, në edicionin qendror të lajmeve në Alsat, foli për çështjen e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, i cili sot u arrestua në një nga pikat kufitare, ndërkohë që ndaj tij kishte urdhër-arrest ndërkombëtar që nga dhjetori 2024.

Lidhur me këtë, Milloshoski tha se në Kuvend nuk ka pasur asnjë informacion për të, edhe pse sipas tij, Grubi vetë e kishte vlerësuar situatën se nuk do të ketë ndryshime në pushtet në vend. Siç u shpreh ai, bëhet fjalë për një funksionar që është futur në listën e zezë të SHBA-ve dhe për këtë arsye asnjë shtet nuk do të ishte mikpritës për t’i mundësuar qëndrim.

“Po ta shohim politikisht sjelljen e tij, madje edhe ta lidhim me sjelljen e BDI-së në periudhën e kaluar, ka gjasa që në 12 apo 14 muajt e fundit ai ta ketë vlerësuar se nuk do të ketë ndryshime të shpejta politike sa i përket pushtetit në Maqedoni, ashtu siç e priste apo e paralajmëronte BDI pas humbjes së tyre në zgjedhje. Kjo mund të ketë qenë një nga motivet që zoti Grubi të mos e zvarrisë më çështjen dhe të paraqitet para organeve të ndjekjes penale”, tha Milloshoski.

Sipas tij, këtu nuk bëhet fjalë vetëm për një person të dyshuar nga Prokuroria Publike e Maqedonisë, por për një funksionar që është futur në listën e zezë të SHBA-ve.

“Çfarëdo shteti, kudo që mund të ketë qëndruar, pa paragjykuar, nuk besoj se është i gatshëm t’ia ofrojë një mikpritje të tillë pafundësisht. Presioni diplomatik nga njëra apo tjetra palë mund të jetë i kushtueshëm për atë vend që do të ishte nikoqir i një personi të tillë të dyshuar”, theksoi Milloshoski.

Ai shtoi se pushteti konsideron se ka ardhur koha për përgjegjësi, pa paragjykuar se si do të nisë apo do të përfundojë procesi. Sipas tij, nuk ka pasur asnjë informacion në lidhje me dorëzimin e Artan Grubit.

“Në Kuvend nuk kemi pasur një informacion të tillë, por vlerësimet tona politike si shumicë qeverisëse, sidomos pas zgjedhjeve dhe formimit të një qeverie më stabile në Kosovë, me të cilën zoti Grubi, mund të them, nuk ka ndonjë marrëdhënie të mirë, ishin se herët a vonë ai do të paraqitej para organeve të ndjekjes penale”, përfundoi Milloshoski.

Trending