Trendy

Ministri i Jashtëm i Sirisë: ‘Rusia nuk do të ketë më rolin e së kaluarës’

Para 4 muaj

Ministri i Jashtëm sirian, Asaad Al-Shaibani, ka dhënë një deklaratë të fortë lidhur me qasjen e Damaskut ndaj Rusisë, duke theksuar se epoka e rolit dominues të Moskës në vend ka marrë fund.

Në deklaratën e tij, Al-Shaibani u shpreh se “Rusia ishte partnere e regjimit të kaluar dhe mori pjesë në thellimin e vuajtjeve të popullit sirian”, një akuzë e drejtpërdrejtë që sinjalizon distancim të qartë politik nga aleanca e dikurshme e ngushtë me Kremlinin.

Ai theksoi se qeveria e re siriane po ndjek një qasje më pragmatiste ndaj Moskës.

“Qasja jonë ndaj Rusisë është pragmatike dhe ne nuk duam të përballemi me këtë shtet”, deklaroi Al-Shaibani, duke lënë të kuptohet se Damasku po kërkon të shmangë tensionet, por njëkohësisht po rishikon ekuilibrat e jashtëm.

Sipas tij, roli rus në Siri “nuk do të jetë më ai i së kaluarës”, një mesazh i qartë për ndryshimin e arkitekturës së aleancave dhe ndikimeve në vend pas viteve të konfliktit ku Moska kishte një prani të theksuar ushtarake dhe politike.

Deklaratat e Al-Shaibanit sinjalizojnë një epokë të re të politikës së jashtme siriane, të orientuar drejt rishpërndarjes së influencave dhe largimit nga varësia e njëanshme, në një kohë kur Siria përpiqet të riformësojë pozicionin e saj në skenën rajonale dhe ndërkombëtare.

Trending