Trendy

Ministri i Jashtëm kinez thirrje Izraelit të ndalojë sulmet ndaj Iranit: Forca nuk i zgjidh problemet

Para 2 orë

Kina i kundërshton sulmet ushtarake të nisura nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kundër Iranit dhe e kërkon ndërprerjen e menjëhershme të armiqësive, i tha të martën homologut izraelit, Gideon Saar, ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, sipas ministrisë që ai e drejton.

“Forca nuk mund t’i zgjidhë vërtet problemet. Në vend të kësaj, ajo shpesh krijon probleme të reja dhe lë pasoja serioze afatgjata. Vlera e vërtetë e fuqisë ushtarake nuk ndodhet në fushën e betejës, por në parandalimin e luftës” – citohet t’i ketë thënë Yi Saarit përmes një telefonate, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ministri kinez i tha homologut izraelit se Kina beson në zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare dhe rajonale përmes dialogut dhe negocimit dhe do të vazhdojë që të luajë rol konstruktiv në lehtësimin e situatës.

Telefonata e së martës vjen pas tri të tillave që kryediplomati kinez i zhvilloi të hënën me homologët nga Irani, Franca dhe Omani. Gjatë këtyre bisedave, ai u bëri thirrje shteteve të Gjirit Persik që të bashkohen kundër ndërhyrjes së jashtme.

Megjithatë, ai nuk ka biseduar me homologun amerikan, Marco Rubio, që nga e shtuna, kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulme ndaj Iranit. Në mesin e të vrarëve ishte edhe lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.

Teherani dhe Bejruti u goditën nga shpërthimet të martën, ndërsa tregjet financiare pësuan goditje në mbarë botën për shkak të mundësisë për pengim të zgjatur të dërgesave globale të energjisë si pasojë e luftës ajrore amerikano-izraelite kundër Iranit.

Trending