“Sjellja e perspektivës gjinore në krijimin e inteligjencës artificiale është e një rëndësie të madhe në ndërtimin e një shoqërie të barabartë për të gjithë.
Në kuadër të vizitës së punës në Republikën e Turqisë, sot mora pjesë në Samitin e gjashtë Ndërkombëtar për Gratë dhe Drejtësinë, i cili këtë vit ka temën – Gratë në Epokën e Inteligjencës Artificiale (AI): Sfida në rritje dhe mundësi më të mëdha.
Samiti ishte në nivelin më të lartë, me prezencën e Presidentit të Republikës së Turqisë, Tayyip Recep Erdogan, Zonjës së parë të këtij vendi, Emine Erdogan, Ministres së Familjes dhe Shërbimeve Sociale, Mahinur Özdemir Göktash, Ministra nga disa vende dhe përfaqësues të Shoqatës së Grave dhe Demokracisë (KADEM).
Trajtova disa pika kyçe, duke theksuar se Republika e Maqedonisë së Veriut punon seriozisht në përgatitjet për hyrjen në Bashkimin Evropian, duke i afruar institucionet dhe legjislacionin me standardet e saj. Si dhe faktit që një vëmendje e veçantë i kushtohet korpusit të çështjeve të të drejtave dhe lirive të njeriut si dhe mundësive të barabarta për çdo qytetar.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut punon edhe në fushën e barazisë gjinore, e vetëdijshme se demokratizimi i vërtetë i vendit nuk është i mundur pa përfshirjen e plotë dhe të papenguar të burrave dhe grave në të gjitha proceset shoqërore.
Tema e gruas dhe inteligjencës artificiale është shumë e rëndësishme sepse ka sfida të mëdha për gratë në këtë fushë.
Prandaj është e nevojshme që përmes bashkëpunimit me institucionet përkatëse në shtet dhe rajon, të ndërmerren praktika pozitive përmes realizimit të ngjarjeve të tilla dhe të ngjashme” – shkruan Fatmir Limani. /tetova1/