Instituti për Hulumtime Biometrike, Shkup është instituti i tetë me radhë që mbylli dyert me vendim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Ministrja, Vesna Janevska tha për Alsat se nuk do të toleroj asnjë parregullsi në arsim, qoftë atë fillor, të mesëm ose të lartë. Derisa numëroi mangësitë dhe parregullsitë që kanë hasur në institutet tashmë të mbyllura, ministrja Janevska paralajmëroi se së shpejti pritet të mbyllen edhe pesë institute të tjera.
“Vlerësoj por edhe jam shumë e sigurt se edhe pesë të tjerë do të mbyllen. Mangësitë janë të ndryshme. Ato fillimisht duhet të plotësojnë kushtet e hapësirave, duhet të plotësojnë kushtet për kuadrin, të kenë të punësuar më së paku pesë shkencëtarë me doktoraturë dhe administratë. Duhet të kenë plan dhe program për kërkimet shkencore, duhet zbatuar kërkimi shkencor, të publikohen rezultatet e kërkimeve shkencore. Në këto tetë institute tashmë të mbyllura, një pjesë ose dy-tre kur panë atmosferën vendosën në mënyrë të pavarur, të mbyllen me kërkesë të tyre”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit dhe Shkencës.
Ministrja Janevska paralajmëroi se nuk do të ketë tolerime as për fakultetet të cilat lëshojnë diploma vetëm për përfitime personale. Gjithashtu, tha se duhet të ketë ndryshime në programet e studimit, të cilat janë të shumta, madje disa prej të cilave janë të vjetruara. Sipas Janevskës, të gjitha këto ndryshime do të vijojnë pas miratimit të Ligjit të ri për Arsim të lartë.
“Duke parë një burim fitimi vetëm për nevoja personale, një numër i caktuar institucionesh të arsimit të lartë kanë hyrë në veprimtari kriminale për të lëshuar diploma të pamjaftueshme për njohuritë e studentëve. Por kjo është e vështirë të vërtetohet edhe pse duket qartë. Ju keni njerëz të cilëve u jepni detyrën për të bërë diçka që kërkon njohuri bazë të fakultetit dhe ata nuk e dinë se si. Pra, është e vështirë të vërtetohet edhe pse duket qartë”, shtoi ajo.
Ligji i Arsimit të Lartë është në fazën finale dhe pritet të miratohet gjatë këtij viti. Në të parashikohen kritere më të ashpra për funksionimin e instituteve, por dhe universiteteve./Alsat.mk