Ljupço Nikolovski, pa asnjë turp, doli në një konferencë për shtyp për të folur mbi Buxhetin e propozuar të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.
Në konferencë për shtyp, ai tregoi një mungesë të theksuar njohurish, si ish-ministër, lidhur me Buxhetin e propozuar. Ai vazhdimisht pretendoi se është ulur Programi për Zhvillim Rural, duke harruar se Programi miratohet nga Qeveria, ndërsa kjo është vetëm një propozim-buxhet.
Në Programin që do të miratohet, do të krijohen masa që do të drejtohen tek fermerët, duke përfshirë edhe të rinjtë, për të cilët ish-ministri nuk bëri asgjë gjatë mandatit të tij.
Për kujtesë, në Programin për Zhvillim Rural, gjatë kohës kur ai ishte ministër, kishte planifikuar 14.200.000,00 denarë, prej të cilave 14.000.000,00 denarë ishin për detyrime të prapambetura. Për të rinjtë, për të cilët pretendon se kujdeset aq shumë, ai kishte parashikuar vetëm 200.000,00 denarë.
Rikujtojmë se programet do të krijohen në përputhje me nevojat e fermerëve.
Të rikujtojmë ish-ministrin se gjatë mandatit të tij, fermerët u përballën me çmime të ulëta të blerjes, pagesa të munguara të subvencioneve dhe produkte bujqësore që përfundonin në mbeturina, pasi ai nuk kishte kohë t’i dëgjonte zërat e fermerëve.
Përmes rebalancimit të buxhetit, u siguruan 1.252.000.000 denarë shtesë, me të cilat për pesë muaj janë paguar subvencionet e prapambetura ndaj fermerëve për periudhën 2020, 2021, 2022, 2023 dhe 2024.
I dërgojmë një mesazh Nikolovskit të ndalojë manipulimin dhe poshtërimin e fermerëve. Koha e gënjeshtrave dhe kaosit ka përfunduar.