Numri i viktimave palestineze në luftën Izrael-Hamas kaloi shifrën 65 mijë të mërkurën, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, ndërsa trupat dhe tanket izraelite u futën më thellë në qytetin e Gazës dhe banorët po largohen nga zona e shkatërruar.
Ushtria izraelite tha se forcat ajrore dhe njësitë e artilerisë kanë goditur qytetin mbi 150 herë gjatë ditëve të fundit, para se trupat tokësore të hynin. Sulmet kanë rrëzuar kulla shumëkatëshe në zona të mbushura me kampe çadrash ku strehohen mijëra palestinezë. Izraeli pretendon se kullat po përdoren nga Hamasi për të vëzhguar lëvizjet e trupave, raporton AP.
Sulmet kanë ndërprerë gjithashtu shërbimet telefonike dhe të internetit, sipas autoriteteve palestineze, duke e bërë të vështirë thirrjen e ambulancave, koordinimin e evakuimeve dhe shpërndarjen e informacionit për ofensivën.
Sulmet gjatë natës vranë të paktën 16 persona, përfshirë gra dhe fëmijë, njoftuan zyrtarë spitalorë. Numri i të vdekurve në Gaza arriti në 65,062 — nga 60,000 në korrik — dhe të plagosurit në 165,697, që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023, tha Ministria e Shëndetësisë, e cila është pjesë e qeverisë së drejtuar nga Hamasi.
Ofensiva e Izraelit ka shkatërruar zona të mëdha të Gazës, ka zhvendosur rreth 90% të popullsisë dhe ka shkaktuar një krizë humanitare katastrofike, me ekspertët që paralajmërojnë për urinë e madhe në qytetin e Gazës.










