“Është koha për veprim. Një bisedë e shkurtër mund të hapë një kapitull të ri për ju. Na kontaktoni nëpërmjet një linje të sigurt”. Ky është mesazhi që në mes të luftës, shërbimi sekret izraelit “Mossad” po u dërgon iranianëve. Ai ka shtuar përpjekjet në mediat sociale për të kontaktuar popullsinë iraniane dhe për të rekrutuar njerëz kundër regjimit
Teksa Netanyahu nuk humbet kurrë rastin për t’u bërë thirrje iranianëve që “të marrin fatin në duart e tyre” dhe të revoltohen, një operacion më diskret po ndodh në internet prej muajsh. Një kanal i Mossadit, shërbimit të inteligjencës së jashtme izraelite, është hapur në mënyrë diskrete në platformën Telegram që nga fundi i dhjetorit. Një lidhje për këtë kanal shfaqet në faqen zyrtare të internetit të Mossadit, duke konfirmuar kështu vërtetësinë e tij, së bashku me lidhje të tjera për llogaritë e rekrutimit në Instagram, Facebook dhe LinkedIn në hebraisht, anglisht dhe arabisht.
Llogaria e Telegram në gjuhën persiane u hap më 24 dhjetor, 4 ditë para protestave masive në Iran që përfunduan me gjakderdhje. Një mesazh në krye të faqes thotë: “Mirë se vini! Nëse keni arritur deri këtu, ndoshta është sepse doni të na kontaktoni. Jemi të emocionuar”. Mesazhi shoqërohet me udhëzime të hollësishme se si të kontaktosh Institutin (Mossad në hebraisht do të thotë Institut) në siguri të plotë, nëpërmjet një bisede automatike ose nëpërmjet faqes së tij të internetit. Më 6 mars, kanali, i cili deri më sot ka 48,000 abonentë, publikoi një mesazh duke i inkurajuar iranianët të transmetojnë informacione nga brenda vendit të tyre: “Vazhdoni të dërgoni raportet tuaja nga terreni. Ju jeni dëshmitarët e së vërtetës. Ne do të vazhdojmë deri në fitore!”
Në fillim të marsit, një llogari e re u shfaq në X nën emrin “Mossad Official”, pas fillimit të bombardimeve amerikano-izraelite më 28 shkurt.
Në njërën nga videot që ai postoi, një grup Basij (paramilitarë iranianë) tregohet duke parë lart në qiell, qartësisht të tmerruar nga një sulm ajror i afërt, me një mbishkrim që premton se “ata nuk do të jenë në gjendje të fshihen për shumë kohë”. Një video tjetër tregon një burrë që bën foto diskrete nga dritarja e tij me celular.
“MOSSAD FARSI”
“Mossad është specializuar në këto lloj operacionesh për dekada të tëra, pavarësisht nga mjetet dhe teknologjitë në dispozicion”, shpjegon Yossi Melman, një gazetar izraelit dhe ekspert i mbrojtjes dhe inteligjencës. “Ashtu si shërbimet e tjera të huaja, agjencia ka financuar botime dhe stacione radiofonike në vende armiqësore. Mossadi nuk shpiku rrotën. CIA ka bërë të njëjtën gjë për shumë vite”.
6 muaj para se kanali të hapej në Telegram, një llogari tjetër, “Mossad Farsi”, u shfaq në X. Mesazhi i tij i parë u postua më 25 qershor, menjëherë pas luftës 12-ditore midis Izraelit dhe Iranit. Sot, ai ka mbi 60,000 abonentë. Postimet e para ishin një seri videosh nga Menashe Amir, një prezantues i famshëm radiofonik izraelit i lindur në Teheran, i cili kaloi më shumë se 6 dekada duke iu drejtuar iranianëve në persi. Amiri konfirmoi për AFP-në se kjo llogari menaxhohet nga Mossadi, megjithëse nuk është përfshirë në listën e publikuar nga agjencia.
“BËJENI IRANIN PËRSËRI TË MADH”
“Mesazhi (videoja) e parë që postuan me mua pati 2,200,000 shikime”, komenton ai me krenari. Autenticiteti i rrëfimit nuk është certifikuar nga autoritetet izraelite, por mediat izraelite e konsiderojnë atë një rrëfim zyrtar. Llogaria “Mossad Farsi” ka publikuar një sërë komentesh kritike sarkastike kundër anëtarëve të udhëheqjes iraniane, por edhe përmbajtje të tjera: një ofertë për shërbime konsultimi mjekësor në distancë për iranianët, një sondazh që pyet se kush duhet ta udhëheqë Iranin për të zgjidhur krizën e tij kronike të ujit, një video që premton “Ta bëjmë Iranin përsëri të madh”, etj.
Toni u bë më i ashpër gjatë protestave masive që filluan në fund të dhjetorit dhe u shtypën brutalisht. “Dilni në rrugë së bashku. Koha ka ardhur. Ne jemi me ju”. “Jo vetëm nga distanca dhe me fjalë. Ne jemi me ju në terren”, thuhej në mesazhe. Të martën, disa orë pas vdekjes së Ali Larijani dhe komandantit të Basij, llogaria postoi një koment të shkurtër: “Njerëzit brutalë përfundojnë të vdekur”.










