Armata e Maqedonisë së Veriut vitin e ardhshëm do të pranojë 300 ushtarë të rinj profesionistë, 60 qytetarë me fakultete civile, por edhe kadetë të rinj, njoftoi ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski në konferencën përfundimtare për vitin 2024, në të cilën foli për sfidat dhe arritjet kryesore të Ministrisë së Mbrojtjes.
“Prej vitit të ardhshëm, fillojmë me procedurë për pranimin e 300 ushtarëve të rinj profesional. Vitin e ardhshëm do t’i publikojmë të gjitha këto të dhëna, 300 ushtarë të rinj profesional dhe çdokush që dëshiron të jetë pjesë e Armatës, kuptohet do ta shohë shpalljen dhe do të paraqitet. Në këtë mënyrë, e rrisim përfaqësimin në Armatë, por edhe e përmirësojmë gatishmërinë tonë luftarake”, deklaroi Vllado Misajllovski, ministër i Mbrojtjes.
Misajllovski, tha se Maqedonia e Veriut e ka plotësuar kushtin e NATO-s që buxheti për mbrojtje të jetë minimalisht 2% nga Bruto Prodhimi Vendor. Një e treta e tij, do të ndahet për modernizimin e Armatës, që në kuadër të procesit vitin e ardhshëm pritet që të arrijnë automjetet e porositura ushtarake.
“Në para, ai ka vlerë 329 milionë euro, prej të cilëve 32%, gjegjësisht 106 milionë euro janë për modernizim dhe pajisje për Armatën. Krahasuar me vitin 2024, janë 18 milionë euro më shumë.
Dorëzimi i të gjithë 96 GLTV duhet të rrumbullakohet deri në fund të vitit 2025, gjithashtu edhe për automjetet striker. Dorëzimi i sistemeve, dorëzimi i sistemeve boran, mistrall, vitin e ardhshëm, të gjithë duhet të arrijnë”, tha Vllado Misajllovski, ministër i Mbrojtjes.
Në lidhje me paditë e ushtarëve për mospagesën e shtesave dhe obligimeve tjera nga ana e Ministrisë, Misajllovski tha se janë paguar mbi 6 milionë euro për këtë qëllim, me çka 99% e obligimeve të bazuara nga Marrëveshja Kolektive janë realizuar. Prej vitit të ardhshëm, do të paguhen të gjitha obligimet, me qëllim që të mos paguhen para shtesë për procedura gjyqësore, avokatë e përmbarues.
Në planin e mbështetjes së Ukrainës, Misajllovski tha se momentalisht nuk diskutohet për pako të re, ndërkaq pritet të nënshkruhet memorandum në lidhje me pakon e fundit që ka kaluar në seancë të mbyllur qeveritare. Ministri tha se do të shqyrtohet mundësia eventuale për ndihmë, megjithatë fokusi i tij prioritar do të jetë modernizimi i Armatës. /Alsat.mk