Familja e shtetasit shqiptar Erkan Nika, i cili punonte si inxhinier i dytë në një anije turke të sulmuar me dronë, i ka bërë apel shtetit shqiptar që të përfshihet në kërkimet për gjetjen e 28-vjeçarit, i cili rezulton i zhdukur.
Babai i tij, Rexh Nika, ka përcjellë një thirrje për ndihmë, duke kërkuar angazhimin e institucioneve turke dhe autoriteteve përkatëse në rajon.
“U bëjmë thirrje të gjitha spitaleve, të gjitha institucioneve shëndetësore, policisë, autoriteteve dhe institucioneve përkatëse në Rusi, Gjeorgji dhe përreth Detit të Zi që të kontrollojnë regjistrat e tyre për pacientë të paidentifikuar, personave të plagosur, ose individë të gjetur në zonat bregdetare të Detit të Zi. Kërkojmë ndihmë nga institucionet shtetërore të Shqipërisë”, u shpreh Nika.
Familja Nika jeton në Turqi që prej vitit 1997, ndërsa Erkani punonte prej vitesh në anijen e mallrave “Aroyat”, e cila u sulmua në Detin e Zi, pranë portit të Novorossiysk-ut.
Sipas të atit, anija ishte nisur nga porti i Durrësit dhe në bord ndodheshin 16 anëtarë të ekuipazhit. Megjithatë, vetëm Erkani rezulton i zhdukur.
“Me djalin, mesazhin e fundit e kam ditën e mërkurë më 23 shtator. Në darkë para se të flija, i kam bërë mesazh, një lutje. Ma ktheu përgjigjen të nesërmen në orën 08:39. ‘Jemi në Detin e Zi’, më ka thënë”, rrëfen babai i 28-vjeçarit.
Sulmi me dronë ndodhi më 27 shtator. Sipas të dhënave të bëra publike, 15 anëtarë të ekuipazhit arritën të shpëtonin, ndërsa emri i inxhinierit shqiptar, Erkan Nika, nuk figuron në listën e të shpëtuarve.
Familja vijon të kërkojë ndihmë për gjetjen e 28-vjeçarit, ndërsa babai i tij u bën thirrje institucioneve shqiptare që të angazhohen në përpjekjet për zbardhjen e fatit të të birit.











