Trendy

Mjekët e mbështesin plotësisht ligjin e ri për mbrojtje nga duhani

Para 3 muaj

Dhoma e Mjekëve e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka shprehur mbështetje të fuqishme dhe të qartë për Propozim-ligjin e ri për mbrojtje nga pirja e duhanit. Si organizatë profesionale që përfaqëson të gjithë mjekët, Dhoma thekson se një ligj i rreptë është i domosdoshëm për mbrojtjen e shëndetit publik, veçanërisht të të rinjve, përcjell tetova1

Ndërsa opinioni publik debaton për kufizimet rigoroze, mjekët nënvizojnë se ata çdo ditë përballen drejtpërdrejt me pasojat e duhanpirjes në ordinanca dhe spitale.

“Shëndeti i qytetarëve duhet të jetë mbi çdo interes tjetër. Zbatimi konsekuent i kufizimeve ligjore do të çojë në uljen e numrit të hospitalizimeve dhe në përfitime afatgjata për mbarë shoqërinë”, theksojnë nga Dhoma e Mjekëve.

Mjekët theksojnë se pirja e duhanit nuk është thjesht një zakon i keq, por shkak i sëmundjeve serioze që rëndojnë si individin, ashtu edhe sistemin shëndetësor, përfshirë:

  • sëmundje kardiovaskulare, si infarktet e zemrës dhe goditjet në tru;
  • sëmundje malinje, përfshirë lloje të ndryshme kanceri të lidhura drejtpërdrejt me duhanin;
  • sëmundje kronike të mushkërive, që dëmtojnë ndjeshëm cilësinë e jetës.

Duke u mbështetur në praktikat evropiane, Dhoma thekson se masat e reja do të reduktojnë numrin e duhanpirësve të rinj, veçanërisht te adoleshentët, si dhe do të sigurojnë mbrojtje për joduhanpirësit nga pirja pasive e duhanit në hapësira të mbyllura.

Dhoma e Mjekëve ka paralajmëruar se do të angazhohet në aktivitete për rritjen e ndërgjegjësimit publik mbi dëmet e produkteve të nikotinës, me qëllim krijimin e një mjedisi më të shëndetshëm jetese dhe pune, si dhe mbështetjen e vizionit për një shoqëri më të shëndetshme./tetova1.mk

Trending