Përfaqësuesi i Lëvizjes Studentore, Mevlan Ademi, ka thyer heshtjen ndaj rezistencës institucionale për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke sjellë si argument dëshmitë e shteteve më të konsoliduara demokratike të Evropës, përcjell INA.
Sipas tij, Maqedonia e Veriut nuk mund të mbetet peng i interpretimeve të ngushta kur praktikat në Finlandë, Zvicër dhe Belgjikë vërtetojnë se drejtësia flet shumë gjuhë dhe barazia nuk deformon ligjin, por e forcon atë.
Reagimi i plotë i Ademit:
Mos e deformoni opinionin publik!
Një juriste me përvojë duhet ta di shumë mirë se e drejta nuk mund të kufizohet në një gjuhë të vetme. Praktika ndërkombëtare e dëshmon qartë:
Në Finlandë, provimi i jurisprudencës zhvillohet në dy gjuhë: finlandisht dhe suedisht.
Në Zvicër, kandidati zgjedh vetë gjuhën në të cilën testohet.
Në Belgjikë, sistemi funksionon me procedura të ndara sipas gjuhës: flamane ose frënge.
Nëse argumentohet se përkthimi në maqedonisht mund të shtrembërojë kuptimin, atëherë ky rrezik është i njëjtë për çdo gjuhë. Po qytetari shqiptar që nuk e zotëron maqedonishten, a nuk vendoset në disavantazh?
Nëse shqetësimi është cilësia e përkthimit, zgjidhja nuk është kufizimi, por funksionimi i plotë i sistemit edhe në gjuhën shqipe, nga provimi i jurisprudencës deri te procedurat gjyqësore.
Nuk jemi përjashtim. Shtetet shumëgjuhëshe funksionojnë mbi parimin e barazisë reale, jo të kufizimit. Dhe pikërisht aty qëndron zgjidhja. (INA)










