Është vendosur një procedurë e re për zbatimin e sanksionit “ndalim për drejtimin e automjetit motorik”, e cila sjell ndryshime të rëndësishme për shoferët. Ndryshe nga praktika e deritanishme, ku ndalimi shënohej fizikisht në patentë-shofer, tani i gjithë procesi do të realizohet në mënyrë digjitale, përcjell tetova1
Sipas informacioneve nga Ministria e Punëve të Brendshme, sistemi i ri parashikon njoftim përmes dy mesazheve SMS dhe postës elektronike. Me këtë hiqet detyrimi që qytetarët të nxjerrin patentë të re dhe të paguajnë shpenzime shtesë vetëm për shkak të regjistrimit të ndalimit.
Procedura zhvillohet në dy faza. Fillimisht, rreth shtatë ditë pasi personi plotëson një deklaratë me të dhënat e kontaktit, ai merr mesazhin e parë me informacione për llojin dhe kohëzgjatjen e sanksionit të shqiptuar.
Tetë ditë pas këtij mesazhi dërgohet edhe SMS-i i dytë – dhe pikërisht nga momenti i pranimit të këtij njoftimi, ndalimi fillon zyrtarisht të vlejë.
Nga MPB sqarojnë se sanksioni nuk fillon nga dita kur qytetari ka plotësuar deklaratën në Departamentin për Punë Administrative, por vetëm pas pranimit të mesazhit të dytë.
Deri më tani, sipas sistemit të ri, janë realizuar më shumë se 3.000 ndalime për drejtimin e automjeteve, të shqiptuara me vendime gjyqësore të formës së prerë. Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë personave që kanë marrë ftesë nga Ministria të përditësojnë të dhënat e tyre të kontaktit – numrin e telefonit dhe adresën e e-mailit – në mënyrë që të marrin me kohë njoftimet.
Njëkohësisht, në mënyrë automatike zbatohen edhe ndalimet e regjistruara përmes sistemit “Qytet i Sigurt”, ku njoftimi gjithashtu dërgohet përmes SMS-it dhe postës elektronike. Sipas MPB-së, këto ndryshime synojnë ta thjeshtojnë procesin dhe të ulin procedurat administrative për qytetarët./tetova1.mk





