Mungesa e hapësirave për parkim në Qendrën Klinike vazhdon të jetë një sfidë e përditshme për qytetarët. Derisa të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme për këtë problem, ata detyrohen çdo ditë të përballen me vështirësi të mëdha, duke humbur kohë në kërkim të një vendi parkimi dhe shpesh detyrohen të parkojnë makinat jashtë hapësirave të Qendrës Klinike.
“Me parkingun si është situata ? Për parkingun të mos flasim, në këmbë nuk mund të shkojmë, nuk ka parking, nuk ka asgjë… As nuk provoj të gjej parking, e parkoj në vend tjetër”, tha një qytetar.
“Me parkingun si është situata? Me parkingun është kaos, shumë kaos, shumë rrëmujë ka, mendoj se duhet bërë më shumë parkingje, pasi nga e gjithë Maqedonia vijnë në Shkup”, u shpreh një qytetare.
Para pak ditësh, Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu tha se punimet për ndërtimin e garazheve të reja pritet të nisin javën e ardhme, ndërsa theksoi se nuk do të ketë rritje drastike të çmimeve të parkingut.
“Procedura pritet brenda tre muajsh që parkingu të jetë i përfunduar, për shkak se në ndërkohë përderisa flasim plani urbanistik është gati, aspekti teknik është gati, pritet të fillohet me punë dhe të implementohet e njëjta”, kishte thënë Azir Aliu, ministër i Shëndetësisë.
Problemi i parkimit në Qendrën Klinike është disa dekada i vjetër. Pacientët, shpesh me lëndime apo diagnoza të rënda, e kanë tepër të vështirë të mbërrijnë deri te klinikat për shkak të rrëmujës. Megjithëse janë dhënë premtime për zgjidhje ndër vite, në terren ende nuk shihet asnjë rezultat konkret. /Alsat.mk





