Trendy

Mustafa Dauti në Turqi, viziton qytetin me mbi 3 mijë fabrika, në fokus bashkëpunimi me Maqedoninë

Para 1 orë

Zv.drejtori i Drejtorisë së Doganave të Maqedonisë së Veriut, Mustafa Dauti gjatë vizitës së tij në qytetin e Inegolit në Turqi, është pritur nga kryetari i komunës, Alper Taban, si dhe nga zyrtarë të doganave.

Në një postim në rrjetet sociale, Dauti ka vlerësuar Inegolin si një qendër të rëndësishme industriale, ku veprojnë mbi 3 mijë fabrika dhe kompani prodhuese.

Sipas tij, një pjesë e konsiderueshme e këtyre kompanive bashkëpunojnë me biznese nga Maqedonia e Veriut, ndërsa ekziston potencial për zgjerimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve.


“Gjatë vizitës takova edhe zyrtarë të doganave, me të cilët diskutuam për forcimin e bashkëpunimit doganor mes Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut, lehtësimin e procedurave dhe shkëmbimin e përvojave”, ka shkruar zv.drejtori Dauti.


Ai bëri të ditur se gjatë qëndrimit në Turqi ka zhvilluar takime edhe me personalitete të tjera politike dhe përfaqësues të institucioneve të rëndësishme.


Vizita synon forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe institucional mes dy vendeve, veçanërisht në fushën e doganave dhe lehtësimit të qarkullimit tregtar.

Trending