Myftinia e Bashkësisë Fetare Islame (BFI) në Tetovë ka shprehur shqetësim të madh për rastet e përsëritura të zjarrvënieve në hapësirat e vakëfit të njohur si “Shtëpia Përmirësuese”, përcjell tetova1
Sipas Myftinisë, kjo pasuri vakëfnore është përballur disa herë me zjarrvënie, duke shkaktuar dëme materiale, por edhe duke rrezikuar objektet përreth, qytetarët dhe sigurinë e përgjithshme.
Myftinia u ka bërë apel qytetarëve, veçanërisht banorëve dhe kalimtarëve në afërsi të kësaj prone, që të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi dhe, në rast se vërejnë veprime të dyshimta, zjarrvënie apo dëmtim të pronës, të njoftojnë menjëherë organet kompetente.
Njëkohësisht, apeli i është drejtuar edhe Policisë, Njësisë së Zjarrfikësve, organeve komunale dhe institucioneve të tjera përgjegjëse, që çështjes t’i kushtojnë vëmendjen e nevojshme, të ndërmarrin masa parandaluese dhe të kontribuojnë në identifikimin dhe ndalimin e personave që eventualisht qëndrojnë pas këtyre veprimeve.
“Vakëfi është amanet dhe pasuri në shërbim të së mirës së përgjithshme. Dëmtimi apo shkatërrimi i tij nuk është vetëm dëmtim i një prone, por cenim i një pasurie që u është lënë brezave për t’i shërbyer shoqërisë”, thuhet në apel.
Myftinia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve dhe reagim serioz nga institucionet, me qëllim që të parandalohet përsëritja e rasteve të tilla dhe të mbrohet prona nga dëmtimet e mëtejshme.
“APEL PËR KUJDES DHE MBROJTJE TË VAKËFIT
Myftinia e Bashkësisë Fetare Islame në Tetovë shpreh shqetësimin e saj serioz lidhur me rastet e përsëritura të zjarrvënieve në hapësirat e vakëfit të njohur si „Shtëpia Përmirësuese“.
Fatkeqësisht, kjo pasuri vakëfnore është përballur disa herë me zjarrvënie, duke shkaktuar dëme materiale dhe, njëkohësisht, duke krijuar rrezik për objektet përreth, qytetarët dhe sigurinë e përgjithshme.
Për këtë arsye, apelojmë te të gjithë qytetarët, veçanërisht te banorët dhe kalimtarët në afërsi të kësaj prone, që të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi dhe, në rast se vërejnë veprime të dyshimta, zjarrvënie apo dëmtim të pronës, të njoftojnë menjëherë organet kompetente.
Njëkohësisht, u bëjmë thirrje Policisë, Njësisë së Zjarrfikësve, organeve komunale dhe institucioneve të tjera përgjegjëse, që kësaj çështjeje t’i kushtojnë vëmendjen e nevojshme, të ndërmarrin masa parandaluese dhe të kontribuojnë në identifikimin dhe ndalimin e personave që eventualisht qëndrojnë pas këtyre veprimeve.
Vakëfi është amanet dhe pasuri në shërbim të së mirës së përgjithshme. Dëmtimi apo shkatërrimi i tij nuk është vetëm dëmtim i një prone, por cenim i një pasurie që u është lënë brezave për t’i shërbyer shoqërisë.
Prandaj kërkojmë bashkëpunimin e qytetarëve dhe reagimin serioz të institucioneve, në mënyrë që të parandalohet përsëritja e rasteve të tilla dhe të mbrohet kjo pronë nga dëmtimet e mëtejshme.
Ta ruajmë vakëfin, ta mbrojmë pronën dhe, mbi të gjitha, ta mbrojmë sigurinë e qytetarëve!”, përfundojnë nga Myftinia e BFI-së – Tetovë./tetova1.mk











