Trendy

Nafta pritet të shkoj në “hava”: Çfarë e pret Maqedoninë?

Para 7 orë

Çmimet e naftës në Maqedoninë e Veriut pritet të pësojnë rritje të ndjeshme gjatë javës së ardhshme, si pasojë e tensionimit të situatës gjeopolitike dhe bllokimit të rrugëve kyçe detare, çka ka dërguar naftën e papërpunuar “Brent” në kuotën e 87 dollarëve për fuçi, përcjell INA.

Tregjet globale po reflektojnë frikën e një konflikti të zgjatur që prek Ngushticën e Hormuzit, duke rritur kostot e transportit dhe primet e sigurimit. Ky “shok” i ofertës pritet të godasë direkt tregun vendas të Maqedonisë së Veriut, i cili është tërësisht i varur nga importi.

Shifrat dhe parashikimet kryesore:

Gjendja aktuale: Çmimi i Eurodizelit është 71 denarë për litër, ndërsa benzina 95 oktan tregtohet me 74.5 denarë.

Efekti i naftës “Brent”: Një rritje prej 10 dollarësh për fuçi përkthehet në rreth 3.5 deri në 4 denarë shtesë për litër në çmimin bazë, pa llogaritur TVSH-në dhe margjinat e tregtimit.

Nëse nafta “Brent” stabilizohet në zonën 85–90 dollarë, çmimet në pompat vendase do të ndjekin një trend rritës të pashmangshëm në rregullimet e ardhshme të Komisionit Rregullator.

Rreziqet ekonomike dhe inflacioni

Dizeli mbetet pika më e ndjeshme e ekonomisë vendase. Si një “karburant inflacionist”, shtrenjtimi i tij pritet të rrisë zinxhirin e kostove në: transport dhe Logjistikë: rritje e menjëhershme e kostove të shpërndarjes; bujqësi dhe ndërtim; konsum: shtrenjtimi i produkteve ushqimore bazë për shkak të kostove logjistike.

Analiza e tregut

Përveç çmimit, autoritetet po monitorojnë edhe “rrezikun psikologjik”. Paniku i mundshëm për mungesë furnizimi mund të shkaktojë rritje artificiale të kërkesës, duke sfiduar sistemin e rezervave shtetërore. Megjithëse qeveria ka dhënë garanci për stabilitetin e rezervave, presioni politik po rritet për të ndërhyrë përmes ngrirjes së margjinave ose uljes së akcizave nëse trendi i rritjes vazhdon.

Vendimi i radhës i Komisionit Rregullator për Energjetikë, i cili do të shpallet të hënën, do të jetë treguesi i parë zyrtar se sa do të jetë kostoja reale e kësaj krize të re energjetike për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.(INA)

Trending