Trendy

“NATO-ja” e re myslimane, Turqia, Arabia Saudite dhe Pakistani aktivizojnë paktin e mbrojtjes së përbashkët

Para 9 sekonda

Turqia, Arabia Saudite dhe Pakistani do të zhvillojnë të hënën në Stamboll takimin e parë të komitetit të krijuar në kuadër të marrëveshjes së përbashkët të mbrojtjes.

Në takim do të marrin pjesë ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes, si dhe shefat e shtabeve të përgjithshme të tri vendeve. Marrëveshja e Mbrojtjes së Përbashkët e Mekës u nënshkrua më 7 gusht nga presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, princi saudit i kurorës Mohammed bin Salman dhe kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif.

Pakti parashikon se një sulm i armatosur kundër njërit prej tri shteteve do të konsiderohet sulm ndaj të gjithëve, një mekanizëm i ngjashëm me nenin 5 të NATO-s për mbrojtjen kolektive. Sipas një burimi të Ministrisë së Jashtme turke, në takimin e Stambollit do të diskutohen zhvillimet e sigurisë ndërkombëtare, forcimi i aftësive mbrojtëse dhe rritja e bashkëveprimit ndërmjet ushtrive.

Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet thellimit të bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes, përfshirë prodhimin dhe zhvillimin e përbashkët të pajisjeve ushtarake. Pakti bashkon tri vende myslimane sunite, aleate të Shteteve të Bashkuara, të shqetësuara nga lufta me Iranin, sulmet iraniane me raketa në Gjirin Persik dhe politika ushtarake e Izraelit. Aleanca përfshin Turqinë, e cila ka ushtrinë e dytë më të madhe të NATO-s, Pakistanin me armë bërthamore dhe Arabinë Saudite, një prej eksportuesve kryesorë të naftës.

Ankaraja ka deklaruar se marrëveshja nuk synon të zëvendësojë aleancat ekzistuese dhe mbetet e hapur për vende të tjera. Egjipti përmendet si kandidati i mundshëm për t’iu bashkuar në të ardhmen.

Trending