Ndarja e ndihmës financiare për NPK-Tetova për të tretin vit me radhë përplasi këshilltarët komunal të Besës dhe BDI-së në Tetovë, transmeton TV21.
Këshilltarët integristë thonë se edhe pse komuna ndan mjete financiare për këtë ndërmarrje, në këshillin komunal nuk është dorëzuar asnjë raport i detajuar se ku shkojnë këto mjete që janë rreth 1 milion e 200 mijë euro. Nga Besa arsyetohen se NPK Tetova nuk gjeneron të holla, por punon me humbje dhe se punëtorët janë pa kontribute dhe rroga të paguara.
“E rëndësishme të theksohet është edhe kërkesa e NPK-TETOVA, për subvencionim me 69.000.000 denarë ose përafërsisht 1.260.000 euro. Këtë kërkesë NPK-Tetova, e ka bërë pa dorëzuar dokumentacion të detajuar për realizimin e shpenzimeve dhe pa asnjë plan financiar për destinimin e mjeteve. Kjo na ngre dyshime serioze për keqpërdorim të mjeteve, andaj ne si Këshilltarë të Këshillit Komunal të Komunës së Tetovës duke mos dashur të bëhemi pjesë e kësaj hajnie klasike, në mënyrë demonstrative e lëshuam seancën”, tha Liridon Disha, këshilltar i BDI-së.
“Janë të punësuar 130, me sa di unë janë paraparë të mbulohet humbja në vlerë prej 60 milionë denarëve, kryekëput për pagat dhe kontributet e prapambetura. E dini se NPK Tetova është me probleme financiare moti dhe është trashëguar. Funksionimi, dhe brenda e ceka, dhe me ndarjen e NPK Sharri dhe Saubermacher, është e pa munduar pa përkrahje të funksionojë. E dimë se ata të punësuar të NPK Tetova janë të angazhuar për pastrimin e hapësirave publike, krasitjen e pemëve drunjve. Janë të angazhuar edhe për pastrimin e përreth kontejnerëve që nuk i takojnë Saubermacher”, tha Naim Ismaili, kryetar i Këshillit nga Besa.