Arsimi shqip në Maqedoninë e Veriut ka humbur sot një nga figurat e tij më emblematike. Pas një jete të tërë dedikuar dijes dhe edukimit të brezave, është ndarë nga jeta profesori i nderuar i Gjimnazit të Tetovës, Rakip Shemshiu.
Lajmi është bërë i ditur nga familjarët dhe bashkëfshatarët e tij në Nerasht, të cilët me dhimbje njoftuan shuarjen e njeriut që për katër dekada me radhë ishte sinonim i profesorit model.
Familja Shemshiu ka njoftuar se varrimi i të ndjerit, babait të Qebirit dhe Shafiut, do të bëhet ditën e Shtunë, më datë 14 shkurt 2026, pas namazit të drekës në fshatin Nerasht.
Katër dekada me ditar në dorë
Profesor Rakipi nuk ishte thjesht një mësimdhënës i gjuhës frënge; ai ishte një pishtar i dijes që ndriçoi rrugën e mijëra nxënësve në Gjimnazin “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë. Me një karrierë që shtrihet mbi 40 vite, ai u dallua për durimin, vullnetin dhe dashurinë e pashoqe ndaj profesionit të shenjtë të mësuesisë.










