Pas bujës së krijuar në opinion për tabelën e re e cila e përjashton gjuhën shqipe dhe e ciëa është e vendosur në pikën kufitare Tabanoc, ku thuhet “Mirë se vini në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, Ndërmarrja për Rrugë Shtetërore thotë se kjo nuk është kompetencë e tyre, raporton Portalb.mk.
Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore i tha Portalb.mk se nuk ka dhënë urdhër për ndryshimin e tabelës informuese.
“Mirëmbajtja e rrugëve, si dhe përgatitja dhe vendosja e sinjalizimit vertikal dhe horizontal në rrugë, janë në kompetencë të Ndërmarrjes Publike për Mirëmbajtjen dhe Mbrojtjen e Rrugëve Magjistrale dhe Rajonale (Makedonijapat)”, thanë nga Rrugët Shtetërore.
Portalb.mk dje drejtoi pyetje edhe te ndërmarrja Makedonijapat, por nuk morëm përgjigje.
Kjo tabelë e vendosur së fundmi mban mbishkrim vetëm në maqedonisht, anglisht dhe në frengjisht, ndërsa jo edhe në gjuhën shqipe.








