Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

Sipas tij, rasti është raportuar më 10 prill 2026, rreth orës 22:00, ku kanë mbetur të plagosur dy persona: L. U. (24-vjeçare), femër kosovare, dhe V. K. (32-vjeçar), mashkull kosovar.

“Viktima e rastit, L. U., pasi ka pranuar ndihmën e parë në Emergjencën e Ferizajt, është dërguar për trajtim të mëtejshëm mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, ku ndodhet ende nën përkujdesjen e mjekëve”, ka thënë Veseli.

Ai ka bërë të ditur se i dyshuari V. K., i cili po trajtohej në QKUK, ka ndërruar jetë më 11 prill 2026, rreth orës 04:05. “Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Rasti fillimisht është cilësuar si ‘Vrasje e mbetur në tentativë’, ndërsa pas rrethanave të reja mbetet në kompetencë të prokurorit për cilësimin e mëtejshëm ligjor”, ka shtuar ai. /Telegrafi/