Trendy

NDIKIMI KINEZ NË BALLKAN: Shqipëria importon gjithnjë e më shumë nga Kina

Para 2 ditë

Të dhënat e fundit të Instat për tregtinë e jashtme të mallrave gjatë vitit 2025 konfirmojnë se Kina është shndërruar në një nga aktorët kryesorë të ekonomisë tregtare shqiptare.Gjatë vitit 2025, Kina renditet si partneri i dytë tregtar i Shqipërisë, me 10.5 për qind të totalit të shkëmbimeve tregtare, menjëherë pas Italisë dhe përpara Turqisë e Greqisë.

Në një vit kur tregtia e përgjithshme është shoqëruar me ngadalësim, ky pozicionim merr peshë të veçantë.Importet nga Kina janë rritur me 21.6 për qind krahasuar me vitin 2024, duke e bërë Pekinin vendin me rritjen më të fortë të importeve drejt Shqipërisë për të gjithë vitin 2025.Në të njëjtën periudhë, importet nga partnerët tradicionalë perëndimorë kanë shënuar rënie: Italia me -2.0 për qind, Turqia me -11.8 për qind dhe Gjermania me -5.9 për qind.
Ky trend është reflektuar qartë edhe në fund të vitit. Vetëm në dhjetor 2025, importet nga Kina u rritën me 13.1 për qind, në një muaj kur rritja totale e importeve ishte vetëm 1.3 për qind. Praktikisht, Kina ishte motori kryesor i rritjes mujore të importeve.

Në të kundërt, marrëdhëniet tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten modeste dhe në rënie relative. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, eksportet shqiptare drejt SHBA-ve në dhjetor 2025 ranë me 10.6 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.Edhe në nivel vjetor, SHBA-të nuk figurojnë ndër partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë, as për importe dhe as për eksporte.
Ndryshe nga Kina, e cila po forcon vazhdimisht pozicionin e saj si furnizues, SHBA-të mbeten jashtë boshtit kryesor të tregtisë shqiptare.Në strukturën e partnerëve tregtarë për vitin 2025, Kina renditet e dyta me 10.5 për qind, ndërsa SHBA-të nuk përfshihen as në katër vendet kryesore të shkëmbimeve tregtare.Në terma strukturorë, kjo krijon një asimetrí të thellë: Shqipëria importon gjithnjë e më shumë nga Kina, ndërsa eksportet drejt tregut amerikan janë të kufizuara dhe të paqëndrueshme.

Deficiti tregtar për vitin 2025 arriti në 541 miliardë lekë, me një rritje prej 3.0 për qind krahasuar me vitin 2024. Brenda këtij deficiti, pesha e importeve nga Kina po bëhet gjithnjë e më dominuese, ndërsa mungesa e një rritjeje proporcionale të eksporteve thellon varësinë nga furnizimet e jashtme.
Të dhënat e Instat-it tregojnë se Shqipëria mbetet fort e lidhur me tregun e Bashkimit Evropian, i cili përfaqëson 57 për qind të gjithë tregtisë për vitin 2025, por brenda këtij kuadri evropian, Kina po fiton terren si aktor jashtë BE-së, duke sfiduar gradualisht balancat tradicionale të tregtisë shqiptare.

Në këtë sfond, kontrasti me SHBA-të është i qartë: ndërsa Kina po konsolidon pozicionin e saj si furnizues strategjik, prania tregtare amerikane mbetet periferike dhe pa një dinamikë rritëse të krahasueshme.Shifrat e vitit 2025 e bëjnë të vështirë të injorohet ky realitet. Kina nuk është më thjesht një partner alternativ tregtar, por një aktor qendror në bilancin tregtar të Shqipërisë, ndërsa SHBA-të, pavarësisht peshës së tyre politike dhe strategjike, mbeten larg një roli proporcional në ekonominë tregtare të vendit.

Trending