Pas Shkupit, edhe në Tetovë ndotja e ajrit është e lartë. Kreu i komunës Bilall Kasami deklaroi se ka urdhëruar inspektoratin që të përpilojë plan aksional për uljen e ndotjes së ajrit në Tetovë.
Kasami apeloi qytetarët që të përdorin sa më pak automjetet e tyre dhe të shfrytëzojnë transportin publik, me qëllim reduktimin e ndotjes.
“Kam dhënë urdhër inspektoratit komunal për ambient që në ditët në vijim të bëjnë një plan aksional dhe të shtojnë kontrollet ndaj ndotësve të ajrit. Sigurisht që do bëjnë kontroll tek bizneset por edhe familjet që në momente të caktuara përdorin ndoshta lëndë për ngrohje që mund të ndotin në masë të madhe me çrast dhe do merren masa”, deklaroi Bilall Kasami. Kryetar i komunës së Tetovës.
Për shkak të ndotjes së lartë mjekët rekomandojnë kujdes të shtuar dhe mbajtjen e maskave mbrojtëse, me qëllim ruajtjen e shëndetit.
“Ndotja e ajrit dukshëm ndikon në shëndetin e pacientëve, kryesisht duke rënduar procesin e frymëmarrjes tek personat me probleme kronike respiratore që edhe u vështirësohet frymëmarrja. Madje kemi edhe thirrje të shtuara të ndihmës së shpejtë shkaku i obstruksioneve që iu ndodhin me rrugët e frymëmarrjes. Ditëve të fundit ka një rritje intensive të pacientëve që kërkojnë ndihmë në këtë repart por edhe në terren shkaku i vështirësisë së frymëmarrjes, sidomos ata që përdorin respirator për ndihmë të frymëmarrjes, sepse ndikon edhe ajri por edhe temperatura”, tha Besnik Mustafai, mjek.
Instituti i Shëndetit Publik në Tetovë ka rekomanduar që të shmanget lëvizja në periudhën kur ajri është i ndotur. /Alsat.mk