Trendy

Ndryshime të mëdha për kreditë e shpejta: Shteti përgatit goditje ndaj “dyqaneve të parave”

Para 1 orë

Ndryshimet e reja në rregulloren ligjore mund ta ndryshojnë ndjeshëm mënyrën se si funksionojnë kompanitë e kredive të shpejta në Maqedoninë e Veriut. Sipas paralajmërimeve, filialet e kredive të shpejta në të ardhmen do të duhet të jenë të larguara nga kazinotë dhe bastoret sportive, ndërsa do të kufizohen edhe reklamat me slogane si “para të shpejta”, “kredi të shpejta” apo “dyqan parash”, përcjell tetova1

Këto paralajmërime vijnë nga grupacioni brenda Odës Ekonomike që përfaqëson shoqëritë financiare të cilat ofrojnë kredi të shpejta. Edhe pse nga Ministria e Financave ende nuk japin detaje konkrete, kryeministri Hristijan Mickoski një javë më parë konfirmoi se po shqyrtohen ndryshime ligjore në këtë drejtim.

Kryetari i grupacionit, Nikolla Joshevski, vlerëson se ndryshimet e propozuara do të ndikojnë seriozisht tek një pjesë e shoqërive financiare, por thekson se ata megjithatë e mbështesin këtë ide.

Tema u aktualizua edhe më shumë pasi Ministria e Financave para dy ditësh i hoqi licencën një kompanie për kredi të shpejta pas një inspektimi të jashtëzakonshëm. Procedura ishte iniciuar pas një ankese nga një qytetar, ndërsa shërbimet inspektuese konstatuan parregullsi serioze që, sipas institucioneve, kishin vënë në rrezik përdoruesit.

Nga grupacioni theksojnë se mbyllja e kompanisë sjell edhe pasoja ekonomike, pasi rreth 100 të punësuar mbeten pa punë, do të mbyllen 40 filiale, ndërsa qytetarët që tashmë kanë marrë kredi do të duhet të vazhdojnë shlyerjen e detyrimeve të tyre.

Megjithatë, ata potencojnë se masa të tilla nuk janë risi. Që nga miratimi i ligjit të ri para dy vitesh, deri më tani janë hequr gjithsej 11 licenca të shoqërive financiare.

Qëllimi kryesor i ndryshimeve të reja është ulja e rrezikut nga mbingarkesa me borxhe e qytetarëve, sigurimi i mbrojtjes më të madhe për konsumatorët, si dhe rritja e transparencës dhe përgjegjësisë në funksionimin e kompanive.

Ndërkohë, shoqëritë financiare kishin afat deri më 15 maj për të tërhequr fushatat agresive të marketingut, veçanërisht reklamat që ofronin kredi me “0% interes”. Që nga fillimi i vitit deri më tani janë shqiptuar 22 gjoba financiare ndaj 16 kompanive, si dhe 23 urdhra për largimin e parregullsive të konstatuara./tetova1.mk

Trending