Pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme është formuar një njësi e re e specializuar për sigurinë kibernetike, e cila do të ketë për detyrë mbrojtjen dhe monitorimin gjithëpërfshirës të sistemeve të informacionit të MPB-së. Kjo njësi do të kryejë analiza të vazhdueshme, zbulim në kohë të kërcënimeve kibernetike, si dhe mirëmbajtjen dhe menaxhimin e sigurisë së infrastrukturës së IT-së së ministrisë.
“Kjo njësi do të jetë një shtyllë kyçe në mbrojtjen e sovranitetit digjital të MPB-së si institucion që menaxhon vëllimin më të madh dhe më të ndjeshëm të të dhënave personale të qytetarëve të vendit. Siguria e këtyre sistemeve është çështje jo vetëm e kapacitetit institucional, por edhe e stabilitetit të shtetit dhe besimit të qytetarëve. Të gjitha aktivitetet e njësisë së sapokrijuar synojnë avancimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së infrastrukturës së brendshme të IT-së të vetë Ministrisë, me fokus ekskluzivisht në mbrojtjen e sistemeve të saj të informacionit. Për herë të parë, Ministria ka blerë pajisje moderne teknike dhe softuerike për monitorimin proaktiv, zbulimin dhe parandalimin e sulmeve kibernetike, duke hedhur kështu themelet për mbrojtje sistemike dhe afatgjatë”, theksoi ministri Pançe Toshkovski.
Sipas tij, kjo iniciativë e MPB-së vendos një standard të ri të mbrojtjes kibernetike:
“Me këtë iniciativë, Ministria e Punëve të Brendshme vendos një standard të ri të mbrojtjes kibernetike, që nënkupton një mburojë sigurie moderne, të qëndrueshme dhe të fuqishme që përmbush sfidat e sotme dhe siguron besimin publik se të dhënat e qytetarëve gëzojnë mbrojtje të lartë.”
Gjithashtu sot, ministri Toshkovski dhe dekani i Fakultetit të Shkencave Informatike dhe të Inxhinierisë Kompjuterike (FINKI), Prof. Dr. Boro Jakimovski, nënshkruan një memorandum bashkëpunimi mes MPB-së dhe Fakultetit.
Qëllimi i bashkëpunimit është shkëmbimi i njohurive, përvojave dhe edukimit profesional, si dhe zhvillimi i kuadrove në fushat me interes të përbashkët, në funksion të forcimit të kapaciteteve teknike dhe njerëzore të Ministrisë dhe mbështetjes së transformimit digjital.










