Një skijator nga Danimarka ka pësuar lëndim gjatë qëndrimit të tij në zonën e njohur si pista “Ceripashina”. Lidhur me rastin ka reaguar përmes një njoftimi zyrtar Ski Qendra “Kodra e Diellit”, duke sqaruar rrethanat e ngjarjes, përcjell tetova1
Sipas njoftimit, lëndimi nuk ka ndodhur në pistën zyrtare të administruar nga Ski Qendra, pasi ski-ashensori “Ceripashina” nuk ka qenë në funksion për shkak të erërave të forta dhe kushteve të pafavorshme atmosferike. I lënduari, thuhet më tej, ka qenë mysafir i një operatori privat që operon jashtë pistave të menaxhuara nga qendra.
Nga Ski Qendra theksojnë se mbajnë përgjegjësi vetëm për pistat dhe hapësirat nën administrimin e tyre zyrtar, ndërsa, pavarësisht rrethanave, njësiti i shpëtimit ka dalë menjëherë në terren për të ofruar ndihmën e nevojshme dhe për të asistuar në transportimin dhe trajtimin e të lënduarit.
Më poshtë njoftimi i plotë:
“Të nderuar vizitorë,
Ju informojmë se dje një skijator nga Danimarka ka pësuar lëndim gjatë qëndrimit të tij në zonën e njohur si pista “Ceripashina”.
Sqarojmë për opinionin se lëndimi nuk ka ndodhur në pistën zyrtare të administruar nga Ski Qendra, pasi ski-ashensori “Ceripashina” nuk ka qenë në funksion për shkak të erërave të forta dhe kushteve të pafavorshme atmosferike. Skijatori në fjalë ka qenë mysafir i një operatori privat që operon jashtë pistave të menaxhuara nga Ski Qendra.
Theksojmë se Ski Qendra mban përgjegjësi vetëm për pistat dhe hapësirat që janë nën administrimin dhe menaxhimin tonë zyrtar, dhe jo për zonat ku operojnë palë të treta jashtë këtyre pistave.
Megjithatë, pavarësisht rrethanave, menjëherë pas marrjes së informacionit me urdhër të drejtorisë njësiti ynë i shpëtimit ka dalë në terren për t’i ofruar ndihmën e nevojshme dhe për të asistuar në transportimin dhe trajtimin e të lënduarit.
Siguria e vizitorëve tanë mbetet prioriteti ynë kryesor. Falënderojmë ekipin e shpëtimit për reagimin e shpejtë dhe profesional”, përfundojnë nga Ski Qendra “Kodra e Diellit”./tetova1.mk










