Trendy

“Ndeshjet sportive nuk janë vend për urrejtje racore!” – mesazhi i fortë i Kasamit

Para 8 muaj

Bilall Kasami, njëri nga liderët e koalicionit VLEN, ka reaguar ashpër ndaj thirrjeve raciste dhe anti-shqiptare të dëgjuara gjatë ndeshjes së basketbollit në Kumanovë.

“Një ndeshje basketbolli nuk është arenë për gladiatorë të urrejtjes, as podium për t’i bërë jehonë fantazmave të së shkuarës! Dënoj ashpër thirrjet raciste dhe anti-shqiptare që u dëgjuan mbrëmë!”, shkruan Kasami në rrjetet sociale.

Ai thekson se ajo që ndodhi në Kumanovë nuk është vetëm një moment turpi për sportin, por një goditje me grusht ndaj idesë më themelore të qytetarisë: “që ne jemi të ndryshëm, por të barabartë”.

“Ata që zgjedhin të këndojnë himnin e urrejtjes në vend të himnit të lojës, nuk janë tifozë, janë aktorë të vegjël të një drame të madhe që e kemi kaluar bashkë dhe nuk kthehemi më aty!”, thekson më tej Kasami.

Ai e cilëson racizmin jo si “shprehje spontane të pakënaqësisë”, por si “tërbime primitive që kërkojnë vend në një kohë që nuk u përket”. Sipas tij, “Maqedonia e Veriut nuk është as rezervat etnik, as kështjellë monokulture, por një mozaik në ndërtim, që nuk pranon bojë të zezë mbi ngjyrat e përbashkëta.”

Bilall Kasami përfundon mesazhin me një apel të qartë: “Le të jetë e qartë: kush mendon se me zhurmën e sharjeve do ta mbulojë zërin e bashkëjetesës, është i humbur në historinë e vet, jo në të ardhmen e këtij vendi!”

Trending