Në fshatin Tearcë të Tetovës sot u mbajt edicioni i 13-të i manifestimit tradicional “Dita e Fasules”, një ngjarje që tashmë është bërë pjesë e identitetit kulturor të rajonit.
Manifestimi u shoqërua me program artistik, ekspozita të produkteve bujqësore të zonës së Sharrit, si dhe aktivitete për fëmijë. Vizitorët patën mundësinë të shijojnë gatime tradicionale, ndër to edhe fasulen e përgatitur me receta autentike.
“Fasulja jonë është e veçantë – përgatitet me mish viçi, qepë, hudhër, piper e karotë, dhe zihet me orë të tëra për të marrë shijen e vërtetë,” deklaroi mjeshtri i kuzhinës, Dobre Nikollovski.
Përveç kësaj, kuzhinieri Adem Aliti përgatiti hallvë tradicionale për rreth 350 persona, duke e bërë festën edhe më të pasur në shije e traditë.
Organizatorët kërkuan që kjo ngjarje të mbështetet më fuqishëm nga institucionet dhe të përfshihet në programet kulturore shtetërore, me qëllim që “Dita e Fasules” të fitojë një dimension edhe më të madh në vitet që vijnë.










