Trendy

Nesër protestë në Tiranë, Kikia: Gjuha shqipe nuk negociohet

Para 2 orë

Gazetari dhe analisti nga Tirana, Mentor Kikia, ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e paralajmëruar për më 26 maj (e martë) në Tiranë, në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët kërkojnë që provimet universitare t’i japin në gjuhën shqipe.

Në njoftimin e publikuar, Kikia u është drejtuar studentëve dhe qytetarëve shqiptarë nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Shkodra, Vlora, Korça dhe Gjirokastra, duke theksuar se solidariteti me studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut është një detyrim kombëtar dhe qytetar.

“Gjuha shqipe nuk negociohet”, thuhet në mesazhin e tij, ku nënvizohet se kërkesa e studentëve shqiptarë për të shkruar provimet në gjuhën e tyre amtare është një e drejtë themelore dhe jo çështje që mund të vihet në diskutim.

Kikia ka rikujtuar edhe incidentin e ndodhur më 18 maj, kur një grup studentësh nga Shqipëria, sipas pretendimeve të tyre, u ndaluan në kufi gjatë rrugës për në Shkup, me qëllim që t’i bashkoheshin protestës së studentëve shqiptarë. Sipas tij, trajtimi i tyre nga autoritetet maqedonase dëshmon se bëhet fjalë për një politikë të qëllimshme dhe jo për veprime të izoluara.

“Nuk tërhiqemi. Jemi në krah të bashkëpatriotëve tanë në Maqedoninë e Veriut dhe do të protestojmë paqësisht për të dëshmuar se gjuha shqipe nuk mund të negociohet”, theksohet në thirrjen e tij.

Organizatorët e nismës “Studentët për Studentët” kanë ftuar të gjithë qytetarët që t’i bashkohen protestës që do të mbahet të martën, më 26 maj, në ora 17:00, në sheshin Sheshi Skënderbej. Sipas tyre, protesta synon të shprehë mbështetje për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut dhe të dërgojë mesazhin se të drejtat gjuhësore dhe liritë themelore nuk negociohen, por duhet të garantohen dhe zbatohen.

“Studentët janë një, në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut”, është mesazhi me të cilin organizatorët ftojnë qytetarët të marrin pjesë në tubimin e nesërm në qendër të Tiranës. (koha.mk)

Trending