Trendy

Nesër vendoset çmimi i ri i karburanteve – pritet ndryshim për benzinën dhe dizelin

Para 51 minuta

Tregu i naftës dhe derivateve të saj po përballet me presione të reja, ndërsa tregtarët e karburanteve paralajmërojnë se paqëndrueshmëria në tregjet botërore po reflektohet drejtpërdrejt edhe në çmimet në Maqedoninë e Veriut. Sipas informacioneve të fundit, rritja e çmimit të naftës së papërpunuar në bursat ndërkombëtare ka sjellë edhe një rritje të re të çmimeve të benzinës dhe dizelit në vend, përcjell tetova1

Komisioni Rregullator për Energjetikë pritet që nesër të marrë vendim të ri për çmimet me pakicë të derivateve të naftës, në kushte të paqëndrueshmërisë së vazhdueshme të çmimeve referente të naftës në tregjet botërore. Ndërkohë, disa tregtarë të karburanteve paralajmërojnë mundësi për zbritje të përkohshme dhe propozojnë masa për ngrirjen e përkohshme të çmimeve. Nga ana tjetër, qytetarët dhe përdoruesit e rrjeteve sociale po shprehin shqetësim për mundësinë e një shtrenjtimi të ri.

Paralelisht, sektori energjetik vazhdon procesin e reformave rregullatore dhe harmonizimin gradual me standardet evropiane, me qëllim krijimin e një tregu energjetik më të integruar dhe më konkurrues.

Aktualisht, EUROSUPER BS-95 shitet rreth 79.5 denarë për litër, ndërsa dizeli rreth 85.5 denarë për litër, që paraqet rritje të ndjeshme krahasuar me javët e kaluara. Rritja më e madhe është te dizeli, i cili është shtrenjtuar për rreth 14.5 denarë për litër, ndërsa benzina për rreth 5 denarë.

Megjithatë, sipas krahasimeve me tregjet evropiane, karburantet në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të mbeten ndër më të lirat në rajon. Në vendet fqinje çmimet janë dukshëm më të larta – në Serbi benzina arrin rreth 1.52 euro për litër, ndërsa në Greqi mbi 1.80 euro, kurse dizeli në disa shtete evropiane kalon edhe 2 euro për litër.

Tregtarët theksojnë se arsyeja kryesore për presionin mbi çmimet janë lëvizjet në tregjet botërore të naftës, ku çmimi i një fuçie nafte luhatet ndjeshëm për shkak të tensioneve gjeopolitike dhe pasigurive në ekonominë globale. Çdo ndryshim në bursat ndërkombëtare reflektohet drejtpërdrejt edhe në tregun vendas përmes formulës së përllogaritjes së çmimeve me pakicë.

Qeveria siguron se furnizimi me naftë dhe derivate është stabil dhe se në vend ka rezerva të mjaftueshme. Sipas institucioneve kompetente, nëse në tregjet botërore ndodh një rritje drastike e çmimeve, shteti mund të reagojë me masa si ulja e akcizave ose e TVSH-së, për të zbutur goditjen ndaj qytetarëve.

Ekspertët paralajmërojnë se tensionet gjeopolitike globale dhe paqëndrueshmëria në tregjet energjetike do të vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi çmimet e karburanteve edhe në periudhën e ardhshme, ndaj nuk përjashtohet mundësia e korrigjimeve të reja të çmimeve./tetova1.mk

Trending