Trendy

Netanyahu distancohet nga Ben-Gvir: Nuk përfaqëson vlerat e Izraelit

Para 1 orë

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kritikoi publikisht ministrin e Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, për videon ku tallej me aktivistët e flotiljes për Gazën

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka kritikuar publikisht ministrin e Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, pas publikimit të videos ku ai shfaqej duke tallur aktivistët e ndaluar të flotiljes humanitare për Gazën.

Në një reagim të rrallë publik ndaj një anëtari të kabinetit të tij, Netanyahu u distancua nga mënyra si Ben-Gvir trajtoi aktivistët e flotiljes “Global Sumud”, ndërsa mbrojti të drejtën e Izraelit për të ndaluar hyrjen e anijeve drejt Gazës.

“Izraeli ka çdo të drejtë të ndalojë flotiljet provokuese të mbështetësve të organizatës terroriste Hamas që të hyjnë në ujërat tona territoriale dhe të arrijnë në Gaza. Megjithatë, mënyra se si ministri Ben-Gvir u soll me aktivistët e flotiljes nuk është në përputhje me vlerat dhe normat e Izraelit”, deklaroi Netanyahu.

Kryeministri izraelit bëri të ditur gjithashtu se ka urdhëruar autoritetet përkatëse që aktivistët e ndaluar të deportohen “sa më shpejt të jetë e mundur”.

“Kam udhëzuar autoritetet përkatëse që provokatorët të deportohen sa më parë”, shtoi ai.

Deklarata e Netanyahut vjen në një moment kur Ben-Gvir po përballet me kritika në rritje brenda dhe jashtë Izraelit për publikimin e videos nga porti i Ashdod-it, ku aktivistët shfaqeshin të gjunjëzuar, me duart e lidhura pas shpine, ndërsa ministri dëgjohej duke thënë: “Mirë se vini në Izrael. Ne jemi pronarët këtu”.

Më herët, edhe ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, kishte sulmuar Ben-Gvir, duke e akuzuar se “i ka shkaktuar dëm shtetit të Izraelit” dhe duke deklaruar publikisht: “Ju nuk jeni fytyra e Izraelit”.

Ndërkohë, reagimet ndërkombëtare kanë ardhur në rritje. Italia dhe Franca kanë thirrur ambasadorët izraelitë për sqarime, ndërsa kanë kërkuar trajtim me dinjitet dhe lirimin sa më të shpejtë të shtetasve të tyre të përfshirë në flotilje.

Trending