Para se ta niste fluturimin kthyes për në vendin e tij nga Shtetet e Bashkuara, ku të mërkurën u takua me presidentin Donald Trump, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se udhëheqësit e Iranit mund të detyrohen që të pranojnë “një marrëveshje të mirë.
“Unë porsa kam përmbyllur një vizitë të shkurtër por të rëndësishme në Uashington, gjatë të cilës bisedova me mikun tonë të madh, presidentin Trump. Ne kemi një marrëdhënie të ngushtë, të sinqertë dhe të hapur” – tha Netanyahu në një pistë aeroporti në Maryland, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Sipas tij, bisedimet ishin të përqendruara rreth Iranit, por mbuluan gjithashtu edhe tema të tjera.
“Presidenti [Trump] beson se iranianët tashmë e kuptojnë se me kë kanë të bëjnë. Mendoj se kushtet që po i cakton ai, të kombinuara me të kuptuarit nga ta se bënë një gabim herën e fundit duke mos arritur një marrëveshje, mund të bëjnë që ata [iranianët] t’i pranojnë kushtet që do ta bënin të mundshme arritjen e një marrëveshjeje të mirë” – deklaroi kryeministri izraelit.
Sidoqoftë, ai shtoi: “Unë nuk e fsheh skepticizmin tim të përgjithshëm rreth mundësisë për arritjen e ndonjë marrëveshjeje me Iranin.”
Netanyahu tha më tej se i bëri të qartë Shtëpisë së Bardhë se çfarëdo marrëveshjeje “duhet t’i përfshijë përbërësit që janë të rëndësishëm për ne, për Izraelin, dhe, sipas pikëpamjes sime, edhe për tërë komunitetin ndërkombëtar – jo vetëm çështja bërthamore, por gjithashtu edhe raketat balistike dhe grupet prokura rajonale të Iranit”.
Ai bëri të ditur se në bisedë me Trumpin u përfshi edhe Gaza. “Kjo ishte një bisedë tjetër me një mik të madh të Izraelit – një president si asnjë tjetër” – tha kryeministri izraelit.










