Trendy

Netanyahu me kërcënim të ri pasi Izraeli goditi Libanin dhe “shkeli” armëpushimin

Para 2 orë

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka lëshuar një kërcënim të ri, duke deklaruar se vendi i tij është i gatshëm të vazhdojë luftën, pavarësisht armëpushimit të shpallur mes SHBA-së dhe Iranit.

Deklarata vjen pasi Izraeli ndërmori sulme të fuqishme ajrore në Liban, të cilat janë cilësuar si ndër më të rëndat që nga fillimi i konfliktit të fundit. Sipas autoriteteve libaneze, dhjetëra persona u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën gjatë bombardimeve.

Megjithëse ishte arritur një armëpushim dyjavor mes SHBA-së dhe Iranit, Netanyahu theksoi qartë se ky marrëveshje nuk përfshin Libanin dhe operacionet kundër Hezbollahut do të vazhdojnë.

Në një deklaratë të fundit, ai paralajmëroi se armëpushimi “nuk është fundi” dhe se Izraeli mban “gishtin në këmbëz”, i gatshëm për të rifilluar luftën në çdo moment nëse është e nevojshme.

Nga ana tjetër, Hezbollahu kishte ndalur sulmet në kuadër të armëpushimit, ndërsa Libani dhe ndërmjetësit ndërkombëtarë kanë reaguar ashpër, duke i cilësuar veprimet e Izraelit si shkelje të marrëveshjes.

Sulmet kanë përshkallëzuar tensionet në rajon, duke rritur frikën për një konflikt edhe më të gjerë në Lindjen e Mesme, në një kohë kur përpjekjet diplomatike për uljen e tensioneve vazhdojnë.

Trending