Trendy

Netanyahu nën presion nga aleatët dhe kundërshtarët për kërcënimin e Hezbollahut dhe bisedimet SHBA-Iran

Para 3 orë

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të mbledhë këtë mbrëmje kabinetin e sigurisë, për herë të parë që nga raportimet për një marrëveshje në zhvillim mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, e cila sipas mediave amerikane po shkakton shqetësim dhe kritika të forta në Izrael.

Sipas CNN, zyrtarë izraelitë e kanë cilësuar privatisht marrëveshjen e mundshme si “ide të keqe”, duke argumentuar se ajo nuk adreson shqetësimet kryesore të Izraelit për programin bërthamor iranian dhe rezervat e uraniumit të pasuruar të Teheranit.

Megjithëse Netanyahu ka shmangur kritikat publike ndaj presidentit amerikan Donald Trump, dy burime izraelite kanë thënë për CNN se në diskutime private ai ka pranuar se ndikimi i Izraelit mbi vendimmarrjen e Uashingtonit dhe negociatat me Iranin është i kufizuar.

Sipas zyrtarëve izraelitë, marrëveshja që po diskutohet aktualisht lë të pazgjidhura çështjet që Izraeli i konsideron thelbësore për sigurinë e tij.

Në të njëjtën kohë, Irani po kërkon forcimin e armëpushimit në Liban, ndërsa Hezbollah ka intensifikuar sulmet e përditshme me dronë ndaj trupave izraelite dhe komuniteteve pranë kufirit verior.

Netanyahu po përballet me presion në rritje si nga opozita, ashtu edhe nga aleatët e tij në koalicionin qeverisës.

Ish-shefi i shtabit të ushtrisë izraelite, Gadi Eizenkot, i cili drejton një forcë politike që synon ta zëvendësojë Netanyahun pas zgjedhjeve të ardhshme, e ka përshkruar situatën si “një armëpushim të imponuar, në kushte të pafavorshme për Izraelin, që rrezikon banorët e veriut dhe ushtarët izraelitë”.

Ndërkohë, ministrat e ekstremit të djathtë Itamar Ben Gvir dhe Bezalel Smotrich kanë kërkuar një reagim më të ashpër ushtarak.

Ben Gvir i ka bërë thirrje Netanyahut të përballet me Trumpin dhe “t’ia bëjë të qartë se shteti i Izraelit nuk mund ta tolerojë këtë”.

Nga ana tjetër, Smotrich ka deklaruar se “një kërcënim strategjik nuk përballohet vetëm me mbrojtje, por duke ndryshuar rregullat dhe ekuilibrin”.

“Për çdo dron shpërthyes, duhet të shemben 10 ndërtesa në Bejrut”, ka thënë ai.

Përballë kritikave në rritje, Netanyahu ka publikuar të hënën një video-mesazh ku deklaron se ushtria izraelite do të intensifikojë sulmet në Liban, pas një dite me sulme të shumta me dronë nga Hezbollah.

“Duhet t’i shtojmë goditjet, duhet të rrisim intensitetin. Do t’i godasim me vendosmëri”, ka deklaruar Netanyahu.

Trending