Sekretari i Komunës së Çairit, Faruk Nevzati, ka reaguar ashpër përmes një postimi në Facebook, duke denoncuar diskriminimin sistematik që, sipas tij, Qyteti i Shkupit po ushtron ndaj kësaj komune shqiptare. “Nuk janë aksident, janë sistem”, shkruan Nevzati, duke theksuar se padrejtësitë që i bëhen Çairit janë të vazhdueshme dhe të strukturuara nga vetë institucionet që do duhej të bashkëpunonin për mirëqenien e qytetarëve të Shkupit.
Ai i referohet veçanërisht Ndërmarrjes Publike “Ujësjellës dhe Kanalizim”, e cila operon në kuadër të Qytetit të Shkupit dhe që, sipas Nevzatit, prej katër vitesh nuk ka investuar asgjë në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit në Çair, edhe pse nga kjo komunë inkasohen mbi 1 milion euro në vit. “Në katër vitet e fundit nuk është bërë asnjë rikonstruktim, përveç ndonjë sanimi të vogël”, thekson ai, duke shtuar se kjo ndodhi ndonëse Ligji për Qytetin e Shkupit dhe vetë Statuti i NP “Ujësjellës dhe Kanalizim” obligojnë këtë ndërmarrje që të mirëmbajë rrjetin në të gjithë territorin e qytetit, përfshirë edhe Çairin.
Në kontrast me këtë neglizhencë, Komuna e Çairit vetë ka siguruar mbi 4.3 milionë euro për investime në infrastrukturën nëntokësore, ndërkohë që projektet e realizuara më pas i dorëzohen po të njëjtës ndërmarrje për mirëmbajtje pa asnjë kontribut nga ana e kësaj të fundit. “Shtrohet pyetja: Pse banorët e Çairit duhet të paguajnë dy herë për të njëjtën shërbim?”, pyet Nevzati, duke ngritur shqetësimin për faktin që mbi 60% të taksave që i paguajnë banorët e kësaj komune i merr Qyteti i Shkupit.
Ai vlerëson kontributin e punëtorëve të ndërmarrjes publike, por fajëson drejtuesit aktualë të Qytetit të Shkupit dhe të ndërmarrjes për menaxhim të dobët dhe për diskriminim politik.
Nevzati ka publikuar të dhëna konkrete dhe lista projektesh që dokumentojnë degradimin institucional që i është bërë Komunës së Çairit ndër vite.














