Rreth dhjetë avionë luftarakë të Forcave Ajrore izraelite (IAF) morën pjesë në një sulm të befasishëm mbi kryeqytetin e Katarit, duke lëshuar më shumë se dhjetë bomba në një ndërhyrje ajrore që zgjati vetëm disa minuta, sipas raportimeve nga media izraelite.
Bombat u hodhën në intervale të shkurtra, njëra pas tjetrës, duke shkaktuar panik dhe paqartësi mbi objektivat e goditura.
Ndërkohë, burime të ndryshme nga mediat arabe raportojnë se gjatë kohës së sulmit, mbi hapësirën ajrore të Doha-s janë vërejtur avionë zbulimi amerikanë dhe britanikë.
Ushtria izraelite njoftoi të martën se kishte kryer një sulm kundër “zyrtarëve të lartë” të lëvizjes islamiste palestineze Hamas, menjëherë pasi u dëgjuan shpërthime në Doha të Katarit.
“Ushtria dhe shërbimi i sigurisë së brendshme (Shin Bet) kryen një sulm të synuar kundër udhëheqjes së lartë të organizatës terroriste Hamas”, tha ushtria në një deklaratë, pa specifikuar vendndodhjen e sulmit.
Transmetuesi izraeli Channel 12, duke cituar burime të sigurisë, raportoi se udhëheqësi i Hamasit në Gaza, Khalil al-Hayya ishte objektivi kryesor i operacionit.
Përveç al-Hayya, besohet se pothuajse e gjithë udhëheqja e mbetur e Hamasit, përfshirë Mohammed Darwish, Mousa Abu Marzouk, Husam Badran dhe Taher al-Nunu, ishin të pranishëm në takim.
Raportimet sugjerojnë se ata ishin mbledhur për të diskutuar marrëveshjen e armëpushimit të paraqitur javën e kaluar nga i dërguari special i SHBA-ve, Steve Witkoff.










