Trendy

Nga kolltuku i ministrit në biznes privat: Çfarë pune bën sot Fatmir Besimi dhe sa “fitoi” kompania e tij?

Para 3 orë

Ish-ministri i Financave, Fatmir Besimi, i cili drejtoi arkën e shtetit nga shtatori i vitit 2020 deri në qershor të vitit 2024, tashmë është fokusuar plotësisht në sektorin privat dhe botën akademike.

Analiza e të dhënave të fundit financiare zbulon lëvizjet e tij të fundit në biznes dhe shifrat që qarkullon kompania e tij. Biznesi që udhëheq ish-ministri Besimi ka marrë timonin e plotë të kompanisë “Strategers DOOEL Shkup”, e themeluar në vitin 2020.

Sipas të dhënave që ka analizuar portalit ekonomik “Faktor”, para vitit 2025, ai është bërë pronar i vetëm dhe 100% i kësaj firme, e cila rezulton të ketë vëllimin më të madh të punës në krahasim me dy firmat e tjera të analizuara në të njëjtin bllok.

Përveç angazhimit si menaxher dhe pronar, Besimi në faqen zyrtare të kompanisë prezantohet edhe me profilin e tij akademik — si profesor i ekonomisë në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL).

Bilanci financiar në lupë: Mijëra euro qarkullim, por sa mbetën në arkë?

Analiza e hollësishme e pasqyrave financiare për vitin 2025 zbulon se kompania e ish-ministrit Besimi ka pasur një aktivitet të ngjeshur ekonomik, me katër të punësuar, por me një marginë mjaft të ngushtë fitimi.

Gjatë 2025, “Strategers DOOEL Shkup” ka arkëtuar të hyra totale prej 6.432.153 denarë apo rreth 104.600 eurove. Megjithatë, shpenzimet dhe daljet totale të kompanisë kanë arritur në 6.356.699 denarë, apo rreth 103.360 euro, ku përfshihen edhe obligimet për katër punonjësit e angazhuar.

Në fund të vitit fiskal, pasi janë zbritur të gjitha këto shpenzime operative, fitimi neto dhe i pastër që ka mbetur në llogarinë e kompanisë është vetëm 50.960 denarë, që i korrespondon një shume simbolike prej rreth 830 eurosh. Kjo tregon se përkundër qarkullimit të madh prej mbi 100 mijë eurosh, biznesi i profesorit të ekonomisë ka mbyllur vitin me një përfitim minimal të pastër.(INA)

Trending