Trendy

Nga torturat e egra te plani “Leptir”/ Çfarë i ndodhi Albin Kurtit në burgjet serbe deri në vitin 2001

Para 46 minuta

Albin Kurti kaloi 2 vjet e 7 muaj në burgjet e Serbisë si i burgosur politik, një periudhë për të cilën ka rrëfyer se u shoqërua me tortura të vazhdueshme, humbje të konsiderueshme në peshë dhe frikën se mund të mos dilte i gjallë.

“Më 10 qershor 1999, kur Serbia po tërhiqte policinë e forcat ushtarake, në konvoj vendosën autobusë të kuq me të burgosur politikë shqiptarë në mes të tyre, që NATO-ja të mos bombardonte. Na përdorën si mburojë. U transferova në burg në Pozharec nga Lipjani, e Pozhareci ishte vendlindja e Millosheviçit. Kalova total 2 vjet e 7 muaj në burg. Një vit e 5 muaj gjatë Millosheviqit, 1 vit e 2 muaj në periudhën e Koshtunicës”, tregonte Kurti në një intervistë në vitin 2024.

Pikërisht gjatë kësaj periudhe të rinisë së tij, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës ndaj Fatmir Shehollit, shërbimi sekret serb dyshohet se kishte hartuar një plan për komprometimin dhe rekrutimin e Kurtit.

Dokumenti i vitit 2001

Në dosjen e Prokurorisë përmendet një dokument i hartuar më 6 mars 2001 nga strukturat e atëhershme të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, RDB-së, paraardhëse e BIA-s.

Sipas aktakuzës, dokumenti përshkruan një plan operativ që synonte komprometimin e Kurtit gjatë kohës kur ai mbahej në burgun e Quprijes.

Në dokument përmendet një burim operativ me nofkën “Leptir”, i cili, sipas pretendimeve të Prokurorisë, kishte krijuar kontakte me Kurtin në burg dhe siguronte informacione për shërbimin sekret serb.

Sipas dosjes, qëllimi ishte mbledhja e materialeve komprometuese që mund të përdoreshin për të ushtruar presion ndaj Kurtit dhe për ta rekrutuar si bashkëpunëtor.

Arrestimi dhe vitet në burg

Kurti u arrestua nga autoritetet serbe më 27 prill 1999 në Prishtinë. Fillimisht u mbajt në burgun e Prishtinës, ndërsa më pas u transferua në Lipjan, Pozharevc, Nish dhe Qupri.

Më 13 mars 2000, ai u dënua me 15 vjet burg nën akuzën për “cenim të integritetit territorial dhe sovranitetit të Jugosllavisë”.

Megjithatë, Kurti u lirua më 7 dhjetor 2001, pas presionit të bashkësisë ndërkombëtare për lirimin e të burgosurve politikë shqiptarë.

“Nuk imagjinoja se do të dilja gjallë”

Në një intervistë për podcastin “Rest is Politics” në vitin 2024, Kurti ka rrëfyer më në detaje për trajtimin që kishte përjetuar në burgjet serbe.

“Ishte si kamp përqendrimi. Humba gati 30 kilogramë në vitin 1999. Kishte tortura sistematike. Rrahje, që nganjëherë ndodhnin edhe disa herë në ditë. Rrahje me shkopinj, shumë gardianë njëkohësisht. U torturova nga uniforma. E humba vetëdijen afro 40 herë gjatë torturave, pra nuk kishte as gjasa të imagjinoja se do të dilja gjallë”, ka deklaruar ai.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë Speciale, pikërisht në këtë periudhë kur Kurti ndodhej i burgosur në Serbi, strukturat e shërbimit sekret serb kishin aktivizuar planin e përshkruar në dokumentin “Leptir”.

Prokuroria pretendon se dokumenti, së bashku me komunikimet e gjetura në telefonin e Fatmir Shehollit, përbën pjesë të provave që synojnë të dëshmojnë lidhjet e tij të dyshuara me shërbimin sekret serb dhe rolin që ai dyshohet se kishte në shpërndarjen e materialeve të ardhura nga këto struktura.

Pretendimet e përfshira në aktakuzë janë pjesë e procedurës penale dhe do të vlerësohen nga gjykata gjatë shqyrtimit të çështjes.

Trending