Një ngjarje e rëndë familjare ka tronditur qytetin e Tetovës mbrëmjen e së shtunës. Rreth orës 20:10, punonjës të policisë nga Sektori për Punë të Brendshme – Tetovë kanë privuar nga liria F.S. (50) nga Tetova, i dyshuar për dhunë fizike ndaj vajzave të tij, të moshës 21 dhe 27 vjeç.
Sipas njoftimit zyrtar të MPB-së, rasti është denoncuar nga familjarët, pas së cilës patrulla policore ka ndërhyrë menjëherë në shtëpinë familjare për të ndaluar agresorin.
F.S. është shoqëruar në stacionin policor të Tetovës, ku po mbahet për procedurë të mëtejshme hetimore.
Ndaj tij, autoritetet do të ngrisin parashtresë përkatëse për dhunë në familje, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.





