Anije luftarake iraniane kanë hapur zjarr ndaj një cisternë nafte dhe të paktën dy anijeve të tjera tregtare në Ngushticën e Hormuzit, sipas informacioneve të publikuara nga burime britanike dhe shërbime detare, përcjell tetova1
Agjencia për operacione detare dhe tregtare e Mbretërisë së Bashkuar njoftoi se incidenti ndodhi rreth 35 kilometra në verilindje të Omanit, ku dy anije të Gardës Revolucionare iraniane qëlluan drejt një cisterne pa paralajmërim paraprak në radio. Sipas kapitenit, nuk ka të lënduar dhe anija mbeti e sigurt.
Ndërkohë, të paktën dy anije të tjera tregtare raportuan se u vunë në shënjestër të zjarrit gjatë përpjekjes për të kaluar ngushticën. Sipas burimeve të afërta me ngjarjen, një anije mallrash u godit nga një projektil, duke shkaktuar dëmtime në disa nga kontejnerët.
Në anën tjetër, Garda Revolucionare iraniane njoftoi se po rivendos kufizime për lundrimin në këtë zonë, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit përmes një bllokade të vazhdueshme detare.
Ndërkohë, Komanda Qendrore e SHBA-së bëri të ditur se do të vazhdojë operacionin për kontrollin e trafikut detar drejt dhe nga portet iraniane. Si pjesë e këtij misioni, një anije luftarake po patrullon në Detin Arabik, ndërsa disa anije tregtare tashmë kanë ndjekur urdhrat amerikane dhe janë kthyer mbrapsht.
Situata në rajon mbetet e tensionuar, duke rritur rrezikun për trafikun ndërkombëtar detar në një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë./tetova1.mk










