Trendy

Një draft i ri evropian ringjall debatin për zgjerimin

Para 4 muaj

Gjatë kësaj jave në Parlamentin Evropian është depozituar një draft-raport i ri mbi strategjinë e zgjerimit të BE-së.

Ky dokument pritet të rigjallërojë debatin për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor, Ukrainës dhe Moldavisë.

Raporti, i hartuar nga eurodeputeti Petras Auštrevičius, vendos një ton të qartë: zgjerimi nuk është më një proces burokratik që mund të shtyhet pafund, por çështje urgjente gjeopolitike.

Auštrevičius, i cili prej vitesh është një prej zërave më të angazhuar për zgjerimin, e paraqet momentin aktual si kritik për të ardhmen e kontinentit.

“BE-ja nuk mund të qëndrojë neutrale përballë rreziqeve të sotme. Zgjerimi është mjeti ynë më i fuqishëm kundër destabilizimit”, argumenton ai në pjesën hyrëse të raportit.

Dokumenti jo vetëm riafirmon perspektivën evropiane të vendeve të rajonit, por nënvizon me forcë se ky proces mund të ecë përpara vetëm mbi bazën e reformave të pakthyeshme.

Sipas Auštrevičius, standardet demokratike, sundimi i ligjit dhe respektimi i të drejtave themelore nuk janë formulime teknike, “por themeli mbi të cilin ndërtohet anëtarësimi”.

Në pjesën ndoshta më të ndjeshme politike, raportuesi i drejtohet institucioneve të BE-së me një mesazh të prerë: vetë Unioni duhet të reformojë mënyrën e të funksionuarit nëse do ta marrë seriozisht zgjerimin.

Ai kritikon hapur mekanizmin e unanimitetit në vendimmarrje, i cili shpesh ka bllokuar procesin për arsye krejtësisht të brendshme të vendeve anëtare.

“Nuk mund të pretendojmë zgjerim kur bllokohemi nga veto të cilat nuk kanë lidhje me procesin”, paralajmëron Auštrevičius.

Për këtë arsye, ai kërkon kalimin drejt vendimmarrjes me ”shumicë të cilësuar” në disa faza të rëndësishme të negociatave.

Gjithashtu, ai ngre idenë e një rishikimi të politikave sektoriale të BE-së, për të parë se si mund të funksionojë Unioni me më shumë anëtarë, nga bujqësia e deri te tregu i përbashkët.

Raportuesi lituanez rikthen vëmendjen te parimi i vjetër, shpesh i anashkaluar i procesit të zgjerimit: meritokracia.

Ai paralajmëron se vendet që bëjnë regres duhet të përballen me pasoja, madje edhe me ngrirjen e negociatave, një instrument që deri më tani BE-ja e ka përdorur me shumë kujdes politik.

Sipas tij, analiza e progresit duhet të jetë “e rreptë, objektive dhe pa toleruar lojëra me reforma që simulohen për të kaluar raportet e Komisionit”.

Në këtë drejtim, ai propozon krijimin e një mekanizmi të posaçëm monitorimi për vendet që devijojnë nga standardet demokratike.

Draft-raporti ndalet edhe te marrëdhëniet mes vendeve të rajonit, duke theksuar se konfliktet dypalëshe duhet të zgjidhen jashtë kornizës së zgjerimit dhe nuk mund të përdoren si instrument bllokimi.

“Fqinjësia e mirë nuk është opsionale – është kusht për stabilitetin rajonal dhe për avancimin drejt BE-së”, thekson Auštrevičius.

Ky është një mesazh direkt për rastet e përsëritura kur mosmarrëveshjet bilaterale kanë penguar hapjen e kapitujve ose rrjedhën e negociatave.

Raporti i kushton vëmendje të posaçme ndikimit rus dhe fushatave dezinformuese në vendet kandidate.

Auštrevičius kërkon zgjerimin e instrumenteve të BE-së për mbrojtje demokratike dhe përfshirjen e plotë të vendeve të rajonit në nismën e re European Democracy Shield.

“Aktualisht, dezinformimi është arma më e lirë dhe më efektive kundër zgjerimit”, paralajmëron ai.

Në fund, raportuesi i bën thirrje BE-së të vendosë afate të qarta për vendet që janë më pranë anëtarësimit, në mënyrë që të shmanget humbja e besimit dhe motivimit të brendshëm.

Ai kërkon gjithashtu forcimin e fondeve të para-anëtarësimit, duke nënvizuar se kushtëzimi mbetet esencial: “Paratë e BE-së duhet të shkojnë vetëm te ata që demonstrojnë vullnet për reforma reale”, shkruan Auštrevičius.

Trending