Një aksident i rëndë ka ndodhur të mërkurën në zonën e Waldshut-Tingen, pranë kufirit me Zvicrën, si pasojë kanë marrë lëndime familja pesëanëtarëshe shqiptare nga Rahoveci. Familja po kthehej nga Kosova dhe aksidenti ndodhi pak minuta para se të mbërrinin në vendin ku jetojnë.
Lajmin e ka konfirmuar edhe policia gjermane, e cila ka njoftuar se përpos pesë anëtarëve të kësaj familjeje, i lënduar ka mbetur edhe një person i gjashtë.
Sipas informacionit të publikuar nga gazetari Bahri Cani në Facebook, në makinë kanë qenë prindërit me tre fëmijë të vegjël, ndërsa gjendja shëndetësore e njërit fëmijë vazhdon të mbetet kritike.
“Sot nga burime të informuara shumë mirë u informova se një fëmijë është akoma në gjendje më të rëndë, të tjerët janë, siç thuhet, në gjendje stabile. Ata janë duke u trajtuar nga mjekët në Zurich dhe në Gjermani. Në makinë kanë qenë prindërit të moshës rreth 30 vjeç dhe tre fëmijë – një tre vjeç dhe dy bebe! Aksidenti ka ndodhur vetëm pak minuta para mbërritjes së tyre në vendin ku jetonin. Ata janë ndeshur me një automjet tjetër, i cili po ashtu ka përjetuar lëndime. Detajet dhe shkaqet e aksidentit të rëndë janë duke u hetuar nga policia, dhe ata janë kompetentë t’i kumtojnë”, ka shkruar Cani.








