Laura Villars, një pilote zvicerane e lindur më 29 gusht 1997, shpalli zyrtarisht kandidaturën e saj për presidencën e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA), duke sfiduar presidentin aktual, sauditin Mohammed Ben Sulayem, i cili mban këtë post që nga viti 2021, si dhe kandidatin tjetër, ish-komisionerin e FIA-s, Tim Mayer.
Pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, Villars tashmë ka hyrë në historinë e automobilizmit si gruaja e parë që kandidon për postin më të lartë në organin rregullator të këtij sporti në nivel global. Villars premton të rikthejë një “qeverisje më demokratike dhe transparente”, siç e thekson vetë ajo.
“FIA duhet të rikthehet të jetë federata e klubeve dhe licencuesve. Ambicia ime është një qeverisje më demokratike, më transparente, më e përgjegjshme dhe më gjithëpërfshirëse për gratë dhe brezat e rinj. Besoj fort se automobilizmi ka nevojë për diversitet dhe inovacion për të vazhduar të frymëzojë brezat e rinj në të gjithë botën”, u shpreh Laura Villars.
Ajo ka garuar vitet e fundit në kategori të ndryshme si: F4 e Emirateve të Bashkuara Arabe, Ferrari Challenge Europe dhe Ligier European Series. Aktualisht, ajo garon pikërisht në këtë të fundit me ekipin Team Virage.
Zgjedhjet për presidencën e FIA-s do të zhvillohen më 12 dhjetor 2025, gjatë Asamblesë së Përgjithshme që do të mbahet në Tashkent, Uzbekistan.








