Trendy

Një klikim i gabuar mund t’ju kushtojë shtrenjtë: Këto të dhëna mos i ndani kurrë online

Para 5 orë

Nga fjalëkalimet dhe kodet SMS, deri te fotografitë e dokumenteve dhe të dhënat bankare – higjiena digjitale është bërë po aq e rëndësishme sa mbyllja e derës së shtëpisë, përcjell tetova1

Një klikim i gabuar, një fjalëkalim i dobët ose shpërndarja e një të dhëne konfidenciale mund të mjaftojë që mashtruesit të kenë qasje në llogaritë apo paratë tuaja. Mashtrimet online po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara, por disa nga masat më të rëndësishme të mbrojtjes janë të thjeshta: përdorni fjalëkalime të forta dhe të ndryshme, aktivizoni autentifikimin me dy faktorë, kontrolloni me kujdes lidhjet dhe kufizoni informacionet personale që ndani në internet.

Mos e ndani kurrë kodin SMS

Një nga rregullat më të rëndësishme është i thjeshtë: kodin që e merrni përmes SMS për konfirmimin e hyrjes në një llogari apo të një transaksioni, mos ia tregoni askujt.

Mashtruesit mund të paraqiten si bankë, kompani postare, dyqan online apo institucion tjetër dhe t’ju kërkojnë kodin për “verifikim”.

Banka ose shërbimi mund t’jua dërgojë vërtet kodin, por kjo nuk do të thotë se duhet t’ia tregoni personit që ju kontakton përmes telefonit, mesazhit apo emailit.

Mos përdorni datëlindjen si fjalëkalim

Shmangni kombinimet e thjeshta, emrat, datat e lindjes dhe informacione të tjera që mund të gjenden ose hamendësohen lehtë.

Përdorni fjalëkalime të gjata dhe të ndryshme për secilën llogari. Kur shërbimi e mundëson, aktivizoni edhe autentifikimin me dy faktorë.

Në këtë mënyrë, edhe nëse dikush arrin ta zbulojë fjalëkalimin tuaj, do të përballet me një tjetër pengesë sigurie.

Për blerjet online përdorni kartelë të veçantë

Një nga rekomandimet është që për blerjet në internet të përdorni një kartelë të veçantë ose virtuale.

Në të mund të mbani vetëm shumën që ju nevojitet për një transaksion të caktuar, në vend që llogaria kryesore të jetë e lidhur drejtpërdrejt me dyqanet online.

Kjo nuk garanton se mashtrimi nuk do të ndodhë, por mund ta kufizojë rrezikun financiar.

Për transaksionet bankare shmangni rrjetet publike Wi-Fi. Nëse duhet të hyni në bankën elektronike, është më mirë të përdorni internetin mobil ose një rrjet privat dhe të besueshëm.

Lidhja mund të duket identike me atë të vërtetën

Faqet e phishing-ut shpesh krijohen në mënyrë që të duken si faqet e bankave, kompanive postare, dyqaneve apo shërbimeve të njohura.

Para se të vendosni fjalëkalimin ose të dhënat e kartelës, kontrolloni adresën e faqes.

Jini veçanërisht të kujdesshëm me mesazhet që krijojnë ndjenjën e urgjencës, si: “Llogaria juaj do të bllokohet”, “Keni një dërgesë të papaguar” ose “Konfirmoni menjëherë transaksionin”.

Pikërisht ndjenja se duhet të reagoni menjëherë shpesh përdoret nga mashtruesit që të mos keni kohë të kontrolloni se çfarë ju është dërguar.

Aplikacionet shkarkojini vetëm nga dyqanet zyrtare

Aplikacionet shkarkojini nga dyqanet zyrtare, si Google Play dhe App Store.

Shmangni instalimin e aplikacioneve të panjohura përmes lidhjeve që ju vijnë me mesazhe, forume apo faqe të dyshimta.

Para instalimit kontrolloni emrin e zhvilluesit, numrin e shkarkimeve dhe vlerësimet. Megjithatë, kini parasysh se edhe këto informacione mund të falsifikohen.

Mos publikoni shumë informacione për veten

Rrjetet sociale janë një tjetër burim informacioni për mashtruesit.

Të dhënat e publikuara, si adresa, numri i telefonit, data e lindjes, fotografitë e dokumenteve, informacionet për udhëtimet apo vendi i punës, mund të përdoren për krijimin e mashtrimeve bindëse.

Kontrolloni cilësimet e privatësisë dhe kufizoni personat që mund t’i shohin të dhënat tuaja personale.

Po inteligjencës artificiale, çfarë nuk duhet t’i tregoni?

Rreziku nuk përfundon te phishing-u dhe mesazhet e rreme.

Kur përdorni një chatbot me inteligjencë artificiale, shmangni futjen e të dhënave të ndjeshme personale ose të biznesit, nëse kjo nuk është e domosdoshme.

Kjo përfshin:

  • numrin personal;
  • adresën dhe të dhëna të tjera identifikuese;
  • numrin e letërnjoftimit ose pasaportës;
  • numrat e kartelave të pagesës dhe llogarive bankare;
  • fjalëkalimet dhe kodet e hyrjes;
  • kodet SMS për konfirmim;
  • të dhëna të detajuara shëndetësore;
  • të dhëna tatimore;
  • informacione konfidenciale nga vendi i punës ose kompania.

Inteligjenca artificiale mund të jetë e dobishme për shkrim, analizë dhe kërkim informacioni, por një chatbot nuk duhet trajtuar si kasafortë për të dhënat më të ndjeshme.

Para se të vendosni një informacion konfidencial, bëjini vetes një pyetje të thjeshtë: “A do të doja që ky informacion të përfundonte në duart e dikujt tjetër?”

Nëse përgjigjja është “jo”, atëherë më mirë mos e vendosni./tetova1.mk

Trending