Trendy

Një Luftë e Ftohtë Rajonale: Turqia kundër Izraelit për kontrollin e Lindjes së Mesme

Para 9 muaj

Financial Times raporton se lufta 12-ditore mes Izraelit dhe Iranit ka ndryshuar balancën e fuqisë në Lindjen e Mesme, duke nxjerrë në pah një Izrael më të guximshëm dhe një Iran të dobësuar, ndërsa SHBA-të heshtin për t’u përfshirë në një konflikt të ri të zgjatur. Megjithatë, shqetësimi kryesor tani vjen nga rivaliteti gjithnjë e më i ashpër mes Izraelit dhe Turqisë, dy aleatë historikë që tani janë kundërshtarë të hapur.

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, në Samitin e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, theksoi se problemet rajonale nuk kanë lidhje me vende të tjera, por me Izraelin. Ky ndryshim i qëndrimit pasqyron shqetësimin në Ankara për fuqizimin hegjemonial të Izraelit, ndërsa Erdogan dhe aleatët e tij e shohin Izraelin si kërcënim strategjik.

Në anën tjetër, Izraeli i percepton veprimet dhe ndikimin rajonal të Turqisë si kërcënim më të madh se sa Iranin. Mbështetja e Erdoganit për Hamasin ka përshkallëzuar tensionet, duke shtuar përpjekjet izraelite për të forcuar lidhjet me kurdët në Siri, kundërshtuar nga Turqia.

Kjo përplasje ideologjike dhe gjeopolitike ka për qëllim dominimin rajonal, me Turqinë që kombinon populizmin islamist dhe nacionalizmin turk për të rivendosur ndikimin në Lindjen e Mesme, ndërsa Izraeli synon forcimin ushtarak në zona kyçe si Libani, Gaza dhe Siria.

Siria pritet të jetë skena kryesore e përplasjeve, ku pas rënies së regjimit të Assad, të dy vendet përpiqen të vendosin ndikimin e tyre, me Turqinë që kontrollon pjesë të veriut të Sirisë dhe Izraelin që intensifikon sulmet ajrore dhe mbështet autonominë e kurdëve dhe druzëve.

Tensionet kulmuan në prill, kur Izraeli goditi një vend ku Turqia kishte plane për ndërtimin e një baze ushtarake. Ndërkohë, marrëdhëniet diplomatike janë të ngrira, por ekziston një linjë kontakti ushtarake për të shmangur përplasje më të mëdha.

Presidenti amerikan Donald Trump shihet si faktor kyç për menaxhimin e këtij rivaliteti, duke pasur marrëdhënie të mira me të dyja palët. Një zgjidhje për konfliktin në Gaza mund të qetësojë pak tensionet, por rivaliteti midis Turqisë dhe Izraelit mbetet i thellë dhe sfidues.

Ndërsa Irani po dobësohet, SHBA dhe aleatët e tyre duhet të përgatiten për sfidën e re që vjen nga përplasja midis dy aleatëve kyç në rajon — Turqisë dhe Izraelit. Ky rivalitet i ri mund të jetë testi më i madh për stabilitetin e Lindjes së Mesme në dekadat e ardhshme.

Trending