Trendy

“Njerëzimi po përballet me sfida që kërkojnë jo vetëm zgjidhje politike”

Para 1 orë

Krerët e të gjitha Bashkësive Fetare Islame u mblodhën në Shkup ku nën nën organizim të BFI-së dhe Dijanetit të Turqisë u organizua samiti i 10-të i liderëve të Bashkësive Fetare Islame.

Kreu i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetahu nga ky samit, tha se në një botë të trazuar nga konflikte dhe tensione, njerëzimi po përballet me sfida që kërkojnë jo vetëm zgjidhje politike, por edhe udhëzim moral dhe shpirtëror. Sipas Fetahut, Shkupi sot nuk është vetëm një qytet pritës, ai bëhet pikëtakim i mendimit, përgjegjësisë dhe vizionit të përbashkët të liderëve fetarë,

SHAQIR EF. FETAHU – KRYETAR I BASHKËSISË FETARE ISLAME

Mesazhi ynë është i qartë dhe i palëkundur, se njeriu është krijesa më e nderuar e Zotit dhe jeta e tij është e shenjtë. Mbrojtja e jetës, dinjitetit, paqës dhe lirisë së njeriut është detyrim hyjnor dhe përgjegjësi e përbashkët. Në mënyrë të veçantë, ne si udhëheqës fetarë kemi obligimin që këtë të vërtetë ta artikulojmë fuqishëm dhe ta jetojmë me shembull. Në këtë kuptim, bashkëpunimi ndërmjet nesh është domosdoshmëri strategjike.

Ndërkaq, kreu i Kryesisë për Çështje Fetare në Republikën e Turqisë, Safi Arpagush deklaroi se në këto hapësira, toleranca nuk është vetëm një nocion, por një traditë e heshtur, dhe e fuqishme e jetës së përditshme.

Sipas Arpagush, në vendet e Ballkanit, vite me radhë, njerëzit kanë folur gjuhë të ndryshme në të njëjtën tryezë, shtoi se njerëzit në këto vise, kanë festuar festa të ndryshme në të njëjtin lagje dhe kanë ndarë si gëzimin ashtu edhe pikëllimin, pa marrë parasysh fenë apo prejardhjen.

Sipas Safi Arpagush, qytetet ballkanike i kanë mësuar njerëzit të jetojnë së bashku edhe para se të njihnin dallimet e tyre.

SAFI ARPAGUSH – KRYETAR I KRYESISË PËR ÇËSHTJE FETARE TË TURQISË

Libri ynë i shenjtë, Kurani, e thekson drejtësinë dhe paanshmërinë si garancë më e madhe për paqe dhe stabilitet në botë. Ai e vendos mëshirën dhe dhembshurinë si themel të marrëdhënieve ndërmjet njerëzve dhe me mjedisin, dhe qartë thekson se të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të paprekshme. Prandaj, myslimanët, të udhëhequr nga parimet universale të Islamit, gjatë historisë janë angazhuar për një jetë dinjitoze, të lirë dhe njerëzore për të gjithë

Në këtë samit morën pjesë edhe krerët e Bashkësive Fetare nga Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Greqia, Bullgaria dhe vendet e mbetura nga Ballkani Perendimorë, po edhe përfaqësues të lartë politik nga vendi. /SHENJA/

Trending